Botërori 2026 me 48 skuadra, Europa me 16

30.03.2017 21:59:21

Botërori i vitit 2026 fillon të marrë formë. FIFA paralajmëroi disa kohë më parë se numri i skuadrave në këtë eveniment do të shkojë në 48 dhe ja ku jemi, tashmë gjithçka bëhet zyrtare. Presidenti Gianni Infantino e ka realizuar premtimin e tij duke i ndezur dritën jeshile formulës së re që do të aplikohet pas 9 vjetësh. Federata Ndërkombëtare e Futbollit e zyrtarizoi vendimin pas mbledhjes së zhvilluar në Zyrih dhe nga ky format përfiton edhe Europa ashtu si cdo kontinent tjetër. Numri i skuadrave nga kontinenti i vjetër shkon nga 13 në 16, çka do të thotë se në evenimentin më të ndjekur sportiv të planetit do të ketë vende edhe për 3 skuadra shtesë nga Europa. Pas kontinentit tonë, Afrika e dyta me 9, Azia me 8, CONCACAF dhe Comnebol me 6 dhe Oqeania me 1. Rregulli bazë është që vendi organizator kualifikohet automatikisht, ndërsa në fazën finale të eliminatoreve do të zhvillohet edhe një turne përjashtuar Europën. Nga ky turne do të kualifikohen edhe dy skuadra të tjera. Një tjetër risi është edhe ndikimi i drejtëpërdrejtë për herë të parë i renditjes së FIFA-s në Botëror pasi dy vendet e para në këtë mini play off do të luajnë vetëm një ndeshje. Gjithsesi, për t’u rikthyer te UEFA ku bën pjesë edhe Shqipëria, kjo formulë rrit ndjeshëm edhe shanset e Kombëtares Shqiptare për të debutuar në një Botëror.Tashmë topi kalon në këmbët e Këshillit të FIFA-s që në sesionin e ardhshëm që do të mbahet në 9 Maj, të ratifikojë vendimin.