Briatore: Alonso nuk do të shkojë te Mercedes

09.12.2016 15:51:13

I duhej të shfaqej para mediave dhe pikërisht këtë bëri. Flavio Briatore, njeriu me të cilin Fernando Alonso fitoi dy tituj Botërore në 2005 dhe 2006 mbyll debatin në lidhje me pilotin asturian dhe transferimin e tij të mundshëm te skuadra më e mirë për momentin në Formula Një, Mercedes. Briatore, i cili është menaxheri i Alonsos, i bën gjërat të qarta.

“Të gjithë mendojnë gjithmonë për Fernando kur një vend në një skuadër të madhe është i lirë, por ne kemi një kontratë me McLaren dhe do ta respektojmë”.

Flavio Briatore zbuloi gjithashtu dhe detaje interesante në lidhje me largimin e Alonsos nga Ferrari për të kaluar te McLaren, të paktën sipas versionit të tij.

“Situata në ato momente ishte se ne kishim një akord me Presidentin e Ferrarit, Luca Montezemolo në bazë të të cilit nëse Fernando nuk fitonte titullin Botëror në 2014, do të ishte i lirë të largohej. Luca e mbajti fjalën e tij, ndërkohë Marco Mattiaci na ofrojë një kontratë të re për tre vjet, por ne e refuzuam”.

Është ky rrëfimi i Briatores, natyrisht pjesa më e rëndësishme është se Alonso nuk do të shkojë te Mercedes, të paktën për momentin.