Bujanoc: Vasko Popa në vend të Hilari Klintonit

18.06.2018 13:34:44

Autobiografia e Hilari Klintonit, ish presidentes amerikane, do të hiqet nga planprogrami mësimor për vitin e parë të shkollave të mesme në gjuhën shqipe, për rajonin e Luginës së Preshevës.

Nga Sevdail Hyseni

Nxënësit shqiptarë, të cilët deri tani kanë mësuar për zonjën Klinton, në të ardhmen do të mësojnë për shkrimtarin me origjinë rumune Vasko Popa, bëhet e ditur në një njoftim të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Siç shkruan gazeta beogradase “Veçernje Novisti” (Lajmi i mbrëmjes), Ministri i Arsimit të Serbisë, Mladen Sharçeviq, i cili miraton kurrikulat, tha se ai kurrë nuk do të lejonte, që autobiografia e Klintonit të gjendet në programet mësimore.
“Ndërsa unë jam ministër dhe deri sa jam gjallë, kjo sigurisht që nuk do të jetë. Unë ju premtoj dhe këtë ua kam thënë edhe përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar Shqiptar”, u shpreh me këmbëngulje  ministri Sharçeviq.
Sipas të njëjtës gazetë, përfaqësuesit e pakicës shqiptare lëshuan pe, duke për ta çuar në vend propozimin e ministrit Sharçeviq, që në vend të biografisë së zonjës Klintoni, të vendoset shkrimtari me origjinë rumune nga Beogradi Vaso Popa, autor i disa librave të përkthyer në shqip, të cilat janë të përfshira edhe në tekstet shkollore në Shqipëri.