Bulliqi: Kam qenë dhe do të jem në LDK, pavarësisht dëshirave të disave

15.09.2016 22:34:41

Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se takimet e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, janë për konsum të brendshëm. Ai ka thënë se nuk është punë e kryeministrit, por e Komisionit Shtetëror për Demakracionin t’i siguronte faktet.

“Nuk e di për çfarë ju duhen këto fakte kur marrëveshja është nënshkruar. Faktikisht këto fakte janë vetëm për konsum të brendshëm që duan t’i bëjnë sepse marrëveshja me Malin e Zi është nënshkruar dhe këto fakte është dashur të zgjidhen me kohën sepse tre vite ka punuar Komisioni Shtetëror edhe në fund të fundit kjo nuk ka qenë detyrë e kryeministrit por e Komisionit Shtetëror për Demarkacion me i siguri faktet para se ta nënshkruajnë, e jo tash pasi që është nënshkruar dhe ka përfunduar çdo gjë”, ka thënë Bulliqi.

Deputeti, që është doktor i Gjeografisë, ka thënë se nuk ekziston një gadishmëri e Qeverisë për tu u lur dhe për ta shikuar edhe njëherë procesin.

“Unë nuk e di cila është strategjia e këtyre viteve të fundit një çështje e kam parasysh që faktikisht të gjitha këto kanë karakter të konsumit të brendshëm se sa që mund të futen si elemente kyçe për ta ndërruar procesin. Ne po e shohim se nuk ekziston gatishmëri e qeverisë për tu ulur dhe për ta shikuar edhe njëherë procesin, por ne do të shohim cili do të jetë prodhimi final i kësaj pune”.

Bulliqi ka përjashtuar çfarëdo mundësie që ta braktis partinë e Ibrahim Rugovës.

 

 

“Asnjëherë nuk e kam vu në pikëpyetje këtë çështje, unë kam qenë dhe jam LDK para shumë të tjerëve që sot janë në struktura udhëheqëse të LDK-së, dhe do të kontribuoj maksimalisht në LDK pavarësisht a do të jem në struktura udhëheqëse të saj. Ato kanë qenë publike nuk ka pas diçka sekrete. Unë çdo gjë që sot e kam arrit nuk kam arrit në saj të subjektit politik unë jam pjesë e LDK-së. Kam qenë pjesë dhe do mbetem, pavarësisht dëshirave të dikujt që iu konvenon apo nuk iu konvenon të jem pjesë e LDK-së”, ka shtuar Bulliqi.

Ai ka thënë se nuk brengoset nëse nuk do të jetë në listën e deputetëve zgjedhjet e ardhshme, sepse këtë punë, sipas tij, e bën për shkak të parimeve.

“Unë këtë punë nuk e bëjë për të qenë në listë e as për të dal prej liste, është punë tipike profesionale që e kam bërë dhe e kam ndërlidh me profesionin tim, absolut kur është në pyetje profesioni dhe interesi shtetëror këto gjëra duhet të dalin në rend të parë”, ka thënë Bulliqi.