Burg me kusht për falsifikim në zgjedhjet e vitit 2010

30.03.2018 22:30:16
5 persona kanë marrë dënim me burg me kusht për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve apo votimeve të vitit 2010 në Kosovë.

Arsim Beqiri, Ramush Jupolli, Fadil Ramadani, Dursan Sinani dhe Ahmet Mehmeti janë dënuar me nga 4 muaj burgim me kusht për zgjedhjet në Kosovë të mbajtura në vitin 2010.

Të akuzuarit nuk kishin parashtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës, andaj edhe u procedua me shqyrtim gjyqësor.

Qysh në fillim të shqyrtimit gjyqësor, 5 të akuzuarit pranuan fajësinë për veprën penale mashtrim me votime.

Pas pranimit të fajësisë, që të gjithë të akuzuarit në fjalën e tyre përfundimtare premtuan se një vepër e tillë penale nuk do të përsëritet dhe nuk është përsëritur më.

Ndërkaq prokurori Ilaz Beqiri i propozoi gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë, si dhe rrethanë lehtësuese të merret fakti se të njëjtit kanë pranuar fajësinë e po ashtu ka kaluar kohë e gjatë që kur ka përfunduar vepra penale.

“Prokuroria nuk ka të dhëna se kanë kryer vepër tjetër penale”, shtoi prokurori Beqiri.

Gjykata pas këshillimit dhe votimit në sallë të gjykatës komunikuan verdiktin ndaj 5 të akuzuarve, të cilët i shpalli fajtorë.

Të akuzuarit u dënuan me burgim me kusht në periudhë prej 4 muajve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet në rast se nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikues prej 1 viti.

Sipas aktakuzës, më 12 dhjetor të vitit 2010 gjatë mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në një qendër vendvotimi të vendosur në shkollën “Hasan Ramadani”, në fshatin Shajkovc të Podujevës, të akuzuarit i kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve apo votimeve në Kosovë, në atë mënyrë që me rastin e numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, kanë hequr dhe shtuar gjithsej 742 vota kandidatëve të preferuar dhe atë kandidatët e subjekteve politike: LDD (1 votë), AKR (17 vota), LDK (252 vota), VV (17 vota), AAK (16 vota) dhe PDAK (1 votë).