Burrecët e “shtetit” shqiptar, jo burrat

23.12.2016 23:25:17

Zërat se Hoxha apo Shehu dhe të tjerë themelues dhe drejtues të komunizmit ishin burra shteti janë qesharakë dhe të turpshëm, shkruan Mara. Nuk mund të ketë burra shteti që persekutojnë popullin e tyre. 

Një sondazh i fundit i OSBE-së, disa shkrime dhe intervista të historianëve dhe politikanëve aktivë apo në pension, po krijojnë një situatë tepër të dëmshme për brezin e ri shqiptar, të çorientuar mjaft nga situata e sotme shoqërore dhe ekonomike. Është fjala për raportet tona me të kaluarën jo të largët dhe në mënyrë të veçantë për Periudhën e Diktaturës së proletariatit dhe përfaqësuesve më të lartë të saj. Nuk mund të them, se ata që mburrin ose justifikojnë Diktaturën, Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, e bëjnë për arsye të caktuara politike, se kanë harruar se në ç’kohë kanë jetuar apo se ëndërrojnë një rikthim të Bllokut Socialist në Europë apo në të gjithë botën. Janë të ndryshëm, por i bashkon një gjë edhe e gënjeshtërt edhe tmerrësisht e dëmshme.

 

I quajnë Hoxhën dhe Shehun burra shteti. Në këtë gafë të rëndë, bie së fundmi edhe ish-presidenti Moisiu, i cili nga afër ka njohur Udhëheqësit më të lartë të Diktaturës. Në një intervistë të fundit, ai e konsideron Mehmet Shehun një burrë shteti dhe kryeministër shumë i zoti, si dhe aludon se Enver Hoxha po përgatiste likuidimin e gardës së vjetër, për të mbrojtur pas vdekjes familjen e tij. Duhet thënë me plot gojë, që Mehmet Shehu jo vetëm që nuk ka qenë burrë shteti, por nuk ka qenë as kryeministër i zoti. Burra shteti janë ata, të cilët ndërtojnë institucione shtetërore, ndërtojnë legjislacione në funksion të mbarëvajtjes së shoqërisë në të cilën jetojnë, punojnë për të ekzekutuar ato çka mendojnë se i bëjnë mirë vendit.

Një bandë karrieristësh, të cilët pasi morën pushtetin me gjakun e shokëve të tyre dhe që ngritën financat e shtetit duke torturuar të pasurit, që vranë njerëzit e shkolluar për pikëpamje ideologjike të ndryshme, që izoluan një popull të tërë duke e shpënë disa herë në pragun e urisë, që ndërtuan një sistem idiot mbrojtës dhe një ushtri të shpartallueshme, mund të quhen çdo gjë veç burra shteti. Mehmet Shehu nuk mund të quhet as një kryeministër i zoti, se në Diktaturë nuk ka Kryeministër që të shkojë të mbrojë ligjet me debate në parlament, por veç një administrator, që qeveris më shumë me forcë dhe mbi direktiva se sa me mençuri e ligj, pa patur kënd ta kundërshtojë.

Sigurisht, që mund të ishte më i zoti se Adil Carçani, Manush Myftiu, Ramiz Alia a vetë Enver Hoxha, por kjo e bën atë vetëm një “çinovnik” të rangut të lartë, që ka kërkesë ndaj vartësve dhe di të organizojë dhe asgjë më shumë. E çuditshme është edhe nostalgjia e Moisiut, për vitet kur ka punuar “nën hyqmën” e Shehut. Ishin vitet e terrorit më të madh në Shqipëri. Në gjuhën e Komitetit Qendror, quheshin vite kur lufta e klasave ishte ashpërsuar më shumë se kurrë. Si asnjëherë më parë, u pushkatuan dhe u burgosën nga anëtarët e byrosë politike e deri në letrarë të rinj.

Gjeneral Moisiu (në atë kohë nuk kishte grada, por duket oficerët ëndërronin t’i drejtoheshin njëri-tjetrit me grada), kujton me ëndje se si punohej krah për krah “gjeneralëve” të tjerë si Dumja, Backa e Cako nën drejtimin e “gjeneralissimos” Mehmet Shehu. Pa dashje, i shpëton edhe një kujtim, që “burri i shtetit” ishte frikacak, se nuk ja bënte dot dy fjalën Enver Hoxhës. Këta burreca, i trembeshin diktatorit, se vetë i kishin mbajtur “ison” kur kishte pushkatuar shokët- rivalë të tyre duke filluar me Ramize Gjebrenë e duke vazhduar me Xoxen, Liri Gegën, Teme Sejkon e të tjerë. Po cili ishte roli i Mehmet Shehut, në kohën e goditjes së Beqir Ballukut dhe “grupit puçist në ushtri”?

Ishte ai i spastrimit të kastës së oficerëve, që mund të ishin pro-sovjetikë edhe pse pak gjasa kishte, që të ishin të shumtë. Tarafe po që kishte në ushtri. Kasta e oficerëve dhe privilegjet e tyre ishin goditur më 1966, dhe Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij drejtuan atë që u quajt “fshesa e hekurt” nga 1974 e deri më 1981. Shpenzimet në fortifikime u shtuan ndërsa ndihmat kineze pakësoheshin dhe ushtria e “kalbur” e kazermave u kthye në një ushtri të “çorganizuar’ të popullit ushtar.

Gjeneral Moisiu, është mirë të bëjë një “mea culpa” për gojën që ka mbajtur mbyllur se i ikte koka dhe jo t’i kujtojë me nostalgji ato vite, kur ushtarët e thjeshtë “torturoheshin” duke mbajtur mbi supe blloqe betoni, për të ngjitur qendra zjarri deri në majat më të larta ku nuk shkonte makina. Duhet të mos harrojë, se si bashkë me ushtarakët e tjerë, ju shpjegonte ushtarëve dhe popullit ushtar, se si ishim në gjendje të përballonim jo vetëm sulmin e një armiku të vetëm, por edhe të një koalicioni armiqsh, ku futej edhe bashkëpunimi i NATO-s me Traktatin e Varshavës!?

Koha i ka hedhur prej vitesh në koshin e plehrave të historisë Hoxhën dhe Shehun. Përpjekjet për të grimuar figurat e dekompozuara të tyre vetëm se bën që të kutërbojnë erë edhe ata që vetëquhen dëshmitarë të një historie “të lavdishme”.