Cakaj merr mbështetje nga BE për ndihmë të të prekurve nga tërmeti

29.11.2019 22:58:10

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar komunikime disa ditore tejet intensive telefonike me homologët e tij të vendeve të BE- së, lidhur me situatën pas tërmetit në Shqipëri dhe veprimet e përbashkëta në funksion të rikthimit të normalitetit të plotë në vend, në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme, pas goditjes së rëndë të tërmetit të 26 nëntorit.

Gjatë këtyre telefonatave, Cakaj mori mbështetjen për rindërtimin e plotë të hapësirave të prekura nga tërmeti dhe kujdesin e plotë ndaj të dëmtuarve prej tij.

Cakaj falënderoi homologët e tij për kontributin e jashtëzakonshëm dhe mbështetjen e pakursyer që i kanë ofruar Shqipërisë në këto momente të vështira për popullin shqiptar, me qëllim rimëkëmbjen e ndërtesave të dëmtuara.

Ministri në Detyrë Cakaj në një reagim në Facebook dha edhe mesazhin e tij për të gjithë shqiptarët, si dhe u shpreh tepër mirënjohës për miqtë dhe parnerët e Shqipërisë në këto ditë të vështira.

“Shqipëria do të bëhet më e fuqishme se kurrë më parë! Mirënjohje e skajshme për miqtë e partnerët e Shqipërisë për solidaritetin e tyre të pashembullt në këtë kohë të rëndë që do ta kalojmë me unitet të brendshëm e kurajo të pamatshme.”, theksoi ai.