Cakaj takohet me kryediplomatin holandez: Holanda vlerëson arritjet e Shqipërisë

30.10.2020 18:32:38

Ministri i Shqipërisë për Punë të Jashtme dhe Evropë, Gent Cakaj, ka zhvilluar sot një bisedë me Ministrin e Jashtëm të Holandës, Stef Blok.

Sipas Cakajt, Holanda vlerëson pozitivisht arritjet e deritanishme të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe dhe vazhdon ta mbështesë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, njofton Klan Kosova.

“Çështja kryesore e bisedës sonë ishte rruga evropiane e Shqipërisë. E informova hollësisht mbi përparimin që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve të nevojshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Përkushtimi ynë është i plotë, për të mbyllur të gjitha detyrimet e nevojshme, për të përparuar në procesin e negociimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Cakaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Përderisa mbetet ende punë për t’u bërë, vlen të theksohet se Holanda vlerëson pozitivisht arritjet e deritanishme të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe dhe vazhdon ta mbështesë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor”.

“Shqipëria do të vazhdojë vetëm përpara e drejt Bashkimit Evropian”.