Çast eseistike/ Me alkiminë e fjalës poetike

27.02.2019 15:04:03

Nga Prend BUZHALA:

Poeti e do fjalën e sinqertë, të shqiptuar nga thellësitë e shpirtit. Mandej, me këtë shpirt fjale, ai niset për t’i kënduar majat e identitetit e të shpirtit shqiptar: Skënderbeun, Kongresin e Manastirit, Fjalën… Lirika sintetizon memorien e kohës, nëpërmes fjalëve… fjalëve të gurta (metaforë e poetikës së rezistimit në kujtesën e fjalës)…deri te ëndrra dhe dashuria.

1. 
Me alkiminë e fjalës poetike, poeteshat ndalen përpara çastit dehës të përjetësimit në vargje të përqasjeve estetike të stinës me ato të shpirtit femëror… me botën e tyre të ëndërrimit, bukurisë, magjisë së emocionit.
Më tutje ndodh teatri historik. Intrigat e Talias, këtij teatri të përgjakshëm historik që luan në hapësirat e ekzistencës e të jetës sonë, nuk na shqiten… Dhe poeti gjakon fjalën e mirë kundruall kësaj aritmie. Fjalën e mirë si figurë e perifrazës për vetëdijet e zgjuara njerëzore…
Lirika e poetëve me individualitet të formuar, shpërfaq edhe shtresime e nivele të tjera poetike, pos atij të sipërfaqshëm, paraqitës, të rrafshtë.. Kjo lirikë, së këndejmi, ngërthen thellësinë e emocionit dhe të meditimit, kapton nivele e fusha të reja të imagjinatës poetike e të thënies lirike-figurative… E gjejmë, nëpër poezitë e arrira, se si folësi lirik shtegton nëpër epoka, gjurmon e identifikohet me to, si dhe me protagonistë të tillë dhe zbret përsëri në kohën tonë, sjell e këmben mesazhe të një përvoje të shquar dhe ndërthur imazhe të befasishme…Secila poezi, për të mos thënë dhe secili varg, sjell një botë më vete, një botëkrijim unik… një fjalë-urti unike…

2. 
Kur pëshpërit poeti, pëshpëritin edhe yjet… se aii mban misterin ndërlidhës frymëzues me universin, në misterin e fjalës…
Ai ka prirjen për ta përdorur poetikisht fjalën dhe frazeologjizmin popullor në kuadër të situatës poetike, të botës së ideve apo në kuadër të kontekstit të situatës së ligjërimit. Ai dëshiron të thotë: nuk jam i përzier, nuk kam marrë pjesë në një veprim a situatë të keqe…Tufëzat e tog-fjalëshave lirikë, që nyjëtohen te secili varg, secili ndër to, po ashtu zgjojnë asociacione të pasura kuptimore… dhe të gjitha këto, në këtë ndërthurje lirike, përbëjnë vlera të veçanta poetike. Kuvendimi në veten e parë, nga ana e folësit lirik, zbulon shkallë-shkallë pësimet e tij: çrrënjosjen, gjykimin e padrejtë, verbërinë e turmës pa e shikuar të vërtetën, është njeriu që nuk i besojnë… Kuvendimi i drejtohet një Tjetri në veten e dytë (habitshëm: një vetje të dytë impersonale, mandej shfaqen “mëkatet” e lëndimit të butë… shfaqet një nivel tjetër semantik me përdorimin figurativ e semantik të frazeologjizmave. E rëndësishme është që folësi lirik ka NDËRGJEGJEN E TIJ dmth ka DORËN e tij – ku asociacioni lirik të shpie shtegut të leximit të vargjeve.

3.
Sa univers (të pafund) poetik ka në dhimbjen e fjalës!
Duke i përplasur-ngjizur-stisur a fërkuar me njëra-tjetrën fjalët në universin artistik (porsi kozmosi që u krijua nga kaosi) , poeti na dhuron një krijim të mahnitshëm kuptimesh, figurash, imazhesh dhe shënjimesh; futet në Kohën e Zgjimit me muzën e fjalës përrallore.
Është dhe një fjalë që fal, një bukuri e ëndërrt, një diell i lumturisë urtake të shpirtit. Ndjesia e bukur shpaloset nëpërmes magjisë, si të ishte magji e shtojzovalleve, e erosit të zgjuar, e lutjeve dhe përgjërimit të fjalëve… poeti muroset në fjalë, e kjo a nuk është një sakrificë e bukur poetike? Te fjalët ngrihen mure, në të cilat muroset poeti si në një Rozafat, për t’i ushqyer shekujt e pambarimtë arbërorë-shqiptarë… 
Është në natyrën e frymës poetike, që të mos njohë kufij gjuhësorë, rajonalë apo shtetërorë, por të fluturojë hapësirave, të mbjellë kudo shpirtin e fjalës së bukur, të afrojë e miqësojë shpirtra njerëzorë, popuj, artistë… 
Shpirti dhuron gjërat më të bukura dhe ligjëron më shumë se fjalët… 
A ka kuptim bota, kur njeriu hesht e artisti mbyllet në gëzhojën e tij? Është fjala e mirë ajo që i jep drejtpeshim qenies njerëzore. 
Te e fundit, çdo përkthim përbën edhe një akt krijues. E secil akt krijues identifikohet me frymëzimin, me muzën. Pra, frymëzimi identifikohet me misteriozitetin, me mitin, kurse te autorët e krishterë identifikohet me fshehtësinë hyjnore. Dhe kur Buzuku ligjëron për fëdigën (mundimin) e të shkruarit të librit të parë,
metaforikisht ai na e sugjeron se fjalët iu ngjanë mundimit të lindjes së
fëmijës nga nëna. Pra, fjala është dhunti hyjnore. Libri konsiderohej si
ringjallje e asaj bote të Arbanit, që të mos e lërë të bjerret; konsiderohej
Shkrim i Shenjtë, në të cilin ngërthehen të gjitha urtitë e botës e të
universit. Por që mbetet aktuale edhe për sot: se asgjë nuk mund ta zëvendësojë Fjalën e Shkruar.”

4. 
Poeti ka përgjegjësi ndaj fjalës së krijuar e të selitur poetikisht…. Prandaj, vargu i tij del i përpunuar, i pastër artistikisht, me kërkesa të rrepta të funksionalizimit estetik… kështu na shfaqet ai krijim lirik, ku ligjërimi me kujtesën, shndërrohet në art të rigjallërimit të vlerave të brendshme njerëzore…

(Rishkrime, 26 shkurt 2019)