Çështja e formimit të koalicionit qeverisës dhe tri parimet themelore

30.01.2021 15:39:29

Nga Rexhep Kastrati

Vazhdimisht kam theksuar se koalicionet qeverisëse më Kosovë mund dhe duhet të formohen në bazë të tri parimeve themelore: 1. Rezultati i zgjedhjeve; 2. Program i unifikuar qeverisës, dhe; 3. Mirëkuptimi i aleatëve!
Një shpjegim pak më të gjerë, por jo deri në fund shterues, po e ofroj më poshtë, edhe në kontekst të zgjedhjeve të 14 shkurtit, por edhe në kontekst të koncepteve populiste lidhur me çështjen e formimit të koalicioneve qeverisëse!

1. Rezultati i zgjedhjeve është thelbësor për t’u ditur vullneti i qytetarëve dhe vlerësimi i tyre për forcat politike! Në shtete të ndryshme që kanë sisteme të ndryshme: mazhoritar, proporcional, të kombinuar, me lista të hapura, me lista të mbyllura, me një zonë zgjedhore, me shumë zona zgjedhore, edhe rezultati i zgjedhjeve është përcaktuar në mënyra të ndryshme! Në SHBA, ndërkaq, rezultati i zgjedhjeve nuk matet me votat nominale që merr secili nga kandidatët për president, por në bazë të numrit të delegatëve të Kolegjit zgjedhor që delegon secili nga 50 shtetet dhe një distrikt, në bazë të numrit të banorëve që kanë, e të cilët përcaktohen në bazë të rezultatit të zgjedhjeve në ato shtete! Kemi rastin e zgjedhjeve të vitit 2004 ndërmjet republikanit Xhorxh Bush i Biri, dhe remokratit Al Gor! Në ato zgjedhje, vota nominale ishte për zëvendëspresidentin Al Gor, por numri i delegatëve ishte më i madh i delegatëve të Kolegjit zgjedhor të Xhorxh Bushit i Biri, i cili u zgjodh president! Pra, nuk janë votuesit ata që  zgjedhin presidentin, por delegatët e Kolegjit zgjedhor!
Në shtetet me demokraci kuvendore, me përjashtim të Francës apo të ndonjë shteti tjetër, nuk janë votuesit që zgjedhin presidentin apo qeverinë, por janë kuvendarët e Kuvendit! Kjo është demokracia përfaqësuese-deleguese, pasi që votuesit delegojnë të drejtën dhe një pjesë të sovranitetit te kuvendarët! Kjo ndodh edhe te ne në Kosovë, pasi që votuesit zgjedhin vetëm kuvendarët që përbëjnë Kuvendin e Kosovës! Me zgjedhjen e kuvendarëve, votuesit kanë deleguar në Kuvend të drejtën për zgjedhjen e presidentit, të qeverisë dhe të institucioneve e agjensive të tjera shtetërore! Pra, është e vërtetë që qytetarët nuk e zgjedhin qeverinë! Në këtë kontekst, vullneti qytetar është formuluar nëpërmjet partisë apo koaliconit parazgjedhor që ka fituar zgjedhjet, që ka ngjallë konfuzitet të madh deti në një aktgjykim të Gjykatës kushtetuese që ka njohur në përputhje me kushtetutën të drejtën për të formuar qeverinë kujtdo që dëshmon me nënshkrime të 61 kuvendarëve se ka shumicën e nevojshme për të miratuar qeverinë e re, nëse dështon kandidati i partisë apo koalicionit parazgjedhor fitues i zgjedhjeve!

2. Përcaktimet kushtetuese dhe interpretimet nga Gjykata kushtetuese, i kanë dhënë peshë më të madhe negociatave ndërmjet partive dhe koalicioneve parazgjedhore për të arritur marrëveshje për koalicione qeverisëse, duke shfaqur kështu rëndësinë e çdo partie apo koalicioni për formimin e qeverisë! Peshën këtyre ua rrit edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, që kërkon një kuorum prej 2/3 të kuvendarëve, duke rritur vlerën e secilës votë nominale! Në këtë mënyrë, parimisht është thyer komoditeti i partive të mëdha në raport me partitë më të vogla, si dhe janë thërmuar vijat e kuqe! Në këtë kuptim, harmonizimi i një programi qeverisës në një mënyrë është bërë më i lehtë se janë hequr kufizimet e vijave të kuqe që vështirësonin arritjen e shumicave solide, dhe impononin shumica të varura nga pakicat etnike, por në anën tjetër ka vështirësuar në kuptimin përmbajtësor, sepse secila parti, apo koalicion sado i vogël do të imponojë çështje specifike në programin qeverisës!

3. Mirëkuptimi i aleatëve strategjikë është i domosdoshëm jo vetëm se Kosova është shtet që nuk ka përmbyllë procesin e shtetformimit, por edhe për shkak të kontekstit gjeopolitik e gjeostrategjik në të cilin është përfshirë ajo! Paqja e brendshme, stabiliteti i brendshëm nuk janë të rëndësishme vetëm për Kosovën, por edhe për shkak të rwflektimit në rajon! Shtete dhe alanca shtetërore kundër Kosovë dhe kundër SHBA, për shembull, kanë qenë dhe janë të interesuara për destabilizim të Kosovës dhe të rajonit për të zhbërë realitetet aktuale dhe për të krijuar realitete të padrejta në raport me Kosovën! Në kontekst të zhvillimeve gjeopolitike në rajon dhe botë, në kontekst të çështjeve thelbësore globale, Kosova është e përcaktuar të jetë pjesë e kontekstit gjeopolitik euro-atlantik, që është bërë më i ndërlikuar dhe më i sfiduar për shkak të pretendimeve të shteteve si Kina për të qenë qendra të fuqishme gjeopolitike, madje edhe për të udhëhequr rendin e ri botëror!
Kam thënë gjatë viteve, dhe është konfirmuar tashmë se shtete të tilla si Rusia, Kina etj., janë munduar dhe po mundohen të shtrijnë dhe të fuqizojnë ndikimimin e tyre në botë, pra edhe në Evropë dhe në rajonin tonë, për të dobësuar aleancën perëndimore në krye me SHBA-të dhe gjithë investimin që kanë bërë për lirinë dhe demokracinë në rajonin tonë! Një ndikim i tillë rus, kinez dhe të tjerëve është i fortë edhe te ne, e që është shpërfaqur edhe në politikëbërjen dhe opinionbërjen mediale! Në këtë kontekst, murëkuptimi dhe bashkërendimi me aleatët tanë është mëse i domosdoshëm!