Çështja e kufijve, çështje sovrane e Kosovës

18.06.2019 13:48:24
Nga Muhamet Hamiti

 

Kjo intervistë e zvëvendësndihmësskretarit të jashtëm amerikan, MatThew Palmer, zyrtari më i lartë i shtetit amerikan që merret edhe me Kosovën, bën të qartë se idetë për ndryshim (korrigjim, etj.) kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë ide amerikane. Njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është imperativi për zgjidhjen përfundimtare, simbas SHBA-ve.

Do përkujtuar se përkrahësit e paktë të idesë së Hashim Thaçit, duke përfshirë edhe ndonjë përfaqësues krejt margjinal të shoqërisë civile, përkrahës të Thaçit, janë përpjekë ta paraqesin (më shumë privatisht) idenë për korrigjim kufijsh/shkëmbim territoresh si ide të amerikanëve, si për t’i dhënë kështu vlerë një ideje të keqe, që, në esencë, po të zbatohej, do të mund të dëmtonte keq Kosovën tërritorialisht e politikisht, madje edhe në rrafsh të shtetësisë së vendit.
Në një intervistë për RTK-në në dhjetor të vitit të kaluar, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kossnet, e ka pasë bërë të qartë se SHBA-të nuk janë angazhuar për këtë ide të ndryshimit/korrigjimit të kufijve.

Këtu një fragment nga intervista e Palmer-it për Radion Evropa e Lirë (REL). Më poshtë, intervista e plotë në përkthimin shqip.

REL: Nëse marrëveshja finale ka të bëjë me kufirin, ndarje, korrigjim, caktim i kufirit apo sido që të quhet, a do të mbështesë SHBA-ja një marrëveshje të tillë?

ZNS Palmer: Përcaktimi i kufijve është e drejtë sovrane. Kjo është diçka që Kosova e kontrollon dhe e vendosë vetë. Nëse Kosova vendosë që si çështje të të drejtës sovrane dëshiron ta diskutojë rregullimin e kufirit me Serbinë, atëherë kjo është zgjidhje e Kosovës. Ne e mbështesim një proces të negociuar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që punon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Kjo nënkupton se çfarëdo marrëveshje duhet të jetë shumëdimensionale. Ajo do të ketë pjesën politike; do të ketë pjesën e sigurisë; nuk ka dyshim që do të ketë pjesën kulturore, të ekonomisë, të tregtisë. Kjo nuk është çështje e një ujdie të thjeshtë binare. Se a do të përfshijë kjo gjithashtu diskutime për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo gjë iu takon palëve të pajtohen. Sa i përket SHBA-së, ajo dëshiron një proces që mbështetet dhe është i mbështetshëm nga të dyja palët në bisedime.