City pret Arsenalin, Mourinho e Conte përballen në fushë

05.11.2017 12:13:13

Premier League vjen sot me 4 takimet e fundit të javës së 11 të saj, por 2 prej tyre janë nga ato sfida që gozhdojnë miliona para ekranit. Kështu, në orën 15:15 Manchester City do të kërkojë të vijojë ecurinë pozitive edhe përballë Arsenalit të Wengerit, që gjithashtu po paraqitet mirë në këtë fillim sezoni, por që ka dështuar gjithmonë ndaj ekipeve të mëdha.

Skuadra e Guardiolës vjen në këtë takim si kryesuese, me 28 pikë në 10 javë, dhe me 5 pikë më tepër se vendi i 2-të, ndërsa Arsenali mban vendin e 5-të, po aq sa edhe Chelsea i vendit të 4-t, me 19 pikë.

Por kryendeshja e javës do të startojë në orën 17:30, në Londër, mes Chelsea-t dhe Manchester United-it. Krahas rivalitetit sportive, atmosferën e këtij takimi e kanë ndezur edhe më shumë polemikat e vazhdueshme mes 2 trajnerëve, Antonio Conte dhe Jose Mourinho.

Portugezi rikthehet sërish si kundërshtar në ‘Stamford Bridge’, aty ku ka drejtuar Chelsea-n për shumë ndeshje, në 2 periudha të ndryshme dhe do të kërkojë revanshin, që Manchesteri i tij të ruajë ritmin e City-y kryesues.

Nga ana tjetër, Antonio Conte fitoi titullin që në vitin e parë, por nuk po kalon një periudhë aspak të mirë këtë vit dhe do të kërkojë 3 pikët që mund t’i shërbejnë për të dalë nga kriza e rezultateve. Një humbje e Chelsea-t sot, e kombinuar me fitoren e City-t, do ta nxirrte jashtë luftës për titull skuadrën e drejtuar nga italiani.

Dy takimet e tjera janë ato mes Tottenhamit dhe Crystal Palace, në orën 13:00 dhe Everton-Watford, në 17:30.