Çka do t’i premtohet tani Listës Serbe ne këmbim të votës për demarkacionin?

24.02.2018 22:04:41
Partitë shqiptare në përjashtim të Vetëvendosjes kanë arritur marrëveshje për votimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Mirëpo, ende nuk janë siguruar 2/3 e votave të nevojshme që kjo marrëveshje të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi, pasi Vetëvendosje dhe Lista Serbe zyrtarisht janë deklaruar kundër.

Pra, koalicioni qeverisës pa Listën Serbe ka 51 vota, LDK i siguron 27 vota të tjera që i bie se deri tani janë siguruar rreth 78 vota, nga së paku 80 që janë të nevojshme për votimin dhe kalimin e demarkacionit, shkruan lajmi.net.

Pas marrëveshjes së partive shqiptare, tani, duhet edhe një marrëveshje me Listën Serbe, e kjo e fundit i ka qejf këto ‘ditë të vështira’ sepse ka hapësirë të merr atë që do. Lista Serbe është duke e mbajtur peng demarkacionin për shkak të vonesës së formimit të Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje kjo që bie ndesh me kushtetutën.

Burime të lajmi.net thonë se liderët e koalicionit qeveritar tashmë kanë shtuar kontaktet me Listën Serbe, në mënyrë që ta bindë për votimin e demarkacionit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit që është caktuar për këtë të mërkurë.

Kujtojmë, se Lista Serbe edhe në periudhën e formimit të institucioneve i kishte kushtet e saja për të hyrë në qeveri duke kushtëzuar atë me formimin e ASK-së. Mirëpo tani çfarë do të kërkojë Lista Serbe?

Pas dështimit të dy seancave për demarkacionin, seanca e tretë do të mbahet të mërkurën.