Çka fshihet mbrapa vizitës së Kadri Veselit në Emiratet e Bashkuara Arabe?

15.04.2017 21:07:41

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli në Emiratet e Bashkuara Arabe paska shkuar për të sjellë investime në Kosovë, thuhet në informacionet e bëra publike, por për çfarë investime bëhet fjalë nëse vërtet bëhet fjalë për to? A mos fshihet ndonjë arsye tjetër për të cilën Kadri Veseli ka shkuar në shtetin arab, e që nuk kanë të bëjnë fare me investime në Kosovë?

Këto dhe pyetje të tjera lindin natyrshëm edhe për shkak të funksionit zyrtar shtetëror që ka Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit, edhe për kohën kur po realizohet vizita, por edhe transparenca e pamjaftueshme për këtë vizitë.

Si kryetar Kuvendi, Kadri Veseli më shumë do të mund të realizonte një lloj të diplomacisë kuvendore, kurse diplomaci shtetërore dhe të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike, do të mund të realizonte kryeministri i vendit. Në këtë kuptim, a ka shkuar Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit, apo si kryetar i PDK-së, e po e keqpëdorë postin shtetëror që ka? Të kujtojmë keqpërdorimin që Aida Durguti i ka bërë postit shtetëror që ka si nënkryetare e Kuvendit, për t’i shkruar ITU-së për kodin telefonik, në emër të Kuvendit. Megjithatë, Kadri Veseli nuk e ka për herë të parë që mundohet ta thyejë monotoninë që ka spikeri i Kuvendit dhe të merret edhe me punë të ekzekutivit.

Në anën tjetër, koha kur po realizohet kjo vizitë, është kohë kur legjislativi i vendit është para sfidave të rëndësishme, siç është edhe demarkacioni me Malin e Zi, çështja e shtyrjes përpara të rritjes së mbështetjes nga grupet e ndryshme kuvendore për të realizuar ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në FA etj. Po ashtu, kjo vizitë po bëhet në kushtet kur në vend dhe në rajon janë shtuar rreziqet nga sulmet terroriste dhe kur shkalla e gatishmërisë dhe e mobilizimit është rritur. Dhe jo vetëm kaq: kjo vizitë realizohet në kushtet kur Kosova dhe në përgjithësi rajoni ynë i është ekspozuar rreziqeve të ndikimieve gjeopolitike e gjeostrategjike sllavo-ortodokse dhe islame, përkatësisht radiklazimit hegjemonist sllavo-ortodoks dhe të radiklaizmit islamik.

Këtë vizitë e kanë mbuluar edhe mistere të tjera, përveç atyre që u përmendën më lartë, pasi që përveç disa informacioneve bazë për takimet, nuk jepen informacione të tilla se a po bëhet kjo vizitë me ftesë të homologes së tij dr. Amal Abdullah Juma Karam Al Qubaisi, apo jo. Duhet të kemi parasysh se Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë njohur Kosovën në tetor 2008, por, po ashtu, në mars të vitit 2014, gjatë vizitës së Vuçiqit në Ahu Dabi, ishte thelluar edhe më tej miqësia me Serbinë. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë në Serbi projektin shumë të kushtueshëm “Beogradi nën ujë” që kushton tre miliardë dollarë, dhe është investim kompanisë “Eagle Hills” që udhëhiqet nga Muhamed Al – Albara, një pjesëtar i familjes mbretërore.

Po ashtu, vlen të theksohet se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë votuar kundër Kosovës për t’u pranuar në UNESCO. Pra, edhe pse është shteti i parë arab që ka njohur pavarësinë e Kosovës, megjithatë që nga viti 2008 e deri më sot, nuk është shquar për ndonjë marrëdhënie të theksuar miqësore, por përkundrazi marrëdhëniet ka vazhduar t’i ketë të veçanta me Serbinë, e të cilat marrëdhënie kanë ndikuar pikërisht në votimin kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.

Edhe një marrëveshje për shmangien e evazionit fiskal dhe të transportit ajror, si dhe një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, kanë mbetur nën hijen e marrëdhënieve dhe investimeve shumë të rëndësishme që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë me Serbinë, e të cilin me gjasë e kanë partnerin kryesor jo vetëm në rajonin tonë, por ndoshta edhe në Evropë.

Shtrohet pyetja pashmangshëm: A mos kjo vizitë bëhet në bazë të ndonjë bashkërendimi me Serbinë, ashtu siç hashim Thaçi ishte bashkërenduar me Serbinë për çështjen e nismës ligjore për FSK-në?  A është bashkërenduar me Qeverinë dhe kryeministrin Mustafa për këtë vizitë dhe përse nuk ka ndonjë ministër, qoftë edhe të partisë së tij që do ta shoqëronte gjatë vizitës? Këto janë shumë të rëndësishme për faktin se investimet, sipas protokollit, tërhiqen apo realizohen në bazë të marrëveshjeve me ministri të caktuara, e jo me selame.

Kadri Veseli nuk e ka as ministrin  e Punëve të Jashtme me vete, edhe pse thuhet se do ta takojë ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, as ministrin e Ekonomisë, edhe pse do ta takojë ministrin e Ekonomisë së këtij vendi.

Prandaj, edhe kjo vizitë duhet të shihet me rezerva dhe me dyshime të mëdha, me shpresën se ditët që do të vijnë do të bëjnë të qartë detaje të saj, ashtu siç dolën detaje të bashkërendimit të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqit për çështjen e FSK-së.