Ç’ke ti Arbanë me të tjerët? Kërkon mëshirë dhe publicitet?

19.05.2017 12:34:17

Nga Rexhep Kastrati

Si gazetar i kërcënuar me likuidimin tim dhe të familjes sime që nga viti 1998, si gazetar i sulmuar me bombë, bashkë me familjen, si gazetar ndaj të cilit janë zhvilluar fushata publike dhe jopublike intrigash, obstruksionesh me format më perfide edhe për të rrezikuar ekzistencën time dhe të familjes sime, kam qenë dhe vazhdoj të jem në anën e gazetarëve që kërcënohen, sulmohen apo u ekspozohen formave të ndryshme të dhunës verbale apo fizike! Kur ka ndodhë rasti i ushtrimit të dhunës ndaj Arbana Xharrës, kam qenë dhe vazhdoj të jem në anën e saj.

Mirëpo, Arbana Xharra le të kujtojë një herë Ali Ukajn, Afrim Maliqin, Enver Malokun, Shefki Popovën, Xhemail Mustafën, Bekim Kastratin, Bardhyl Ajetin, dhe të kujtojë se asnjëherë nuk ka pasur solidaritet me ta as kur janë kërcënuar, as kur janë sulmuar, as kur janë vrarë. Përkundrazi vrasjet e tyre janë përdorë për fushata kundër LDK-së dhe kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa. Dhe kjo ka ndodhur edhe në gazetën që e drejtonte ajo, para se të bëhej pjesë e PDK-së.

Dhe është pikërisht kalimi në PDK që ka ngjallë reagime, jo se u bë kijameti, apo se gazetaria ka humbur gjë, pasi që e kam thënë vazhdimisht ajo nuk ka qenë kurrë gazetare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por ka pasur reagime se ngritjen e saj, ajo e ka arritur me retorika gjoja kundër asaj që përfaqëson partia ku ka shkuar. Dhe është interesant se me të kaluar në PDK, ndodh dhuna ndaj saj, e jo gjatë viteve.

Dhe është interesant se menjëherë pas sumit, “express” gjen edhe sulmuesit: nga Vetëvendosja. Mirëpo, të gjithë gishtin e drejtuan kah Kadri Veseli dhe PDK-ja. Kurse nxitimi i saj për të bartur përgjegjësinë te Vetëvendosje dhe te “Besa”, sikur konfirmon një sulm të përgatitur në zyret e PDK-së, edhe për faktin se express-i menjëherë ka dal me këtë tezë. E dihet që express është de facto filial i PDK-së. Edhe po ta ketë bërë dikush nga Vetëvendosje, nuk ka mundur të ndodhë pa nxitje nga PDK, sepse koha ka treguar se VV, AAK, Nisma kanë zbatuar skenarë të Kadri Veselit.

A është bërë me dijeninë apo pa dijeninë e Arbanës ky sulm, nuk dua ta them, por sulmet histerike që bën ajo ndaj të tjerëve pse shprehin opinionin e tyre lidhur me kalimin e saj në PDK, sulme që vijnë edhe nga tipologjia e saj karakterologjike, edhe ngaqë po vëren se gishti është drejtuar nga PDK dhe nga Kadri Veseli, nuk ia ka borxh askush. Edhe nëse ka tension të brendshëm, edhe nëse ka luftë me vetveten edhe për arsyet që mund ta kenë çuar në PDK, edhe nëse e di se mund të jetë sulmuar me skenarë nga brenda PDK-së, nuk mund të kihet mirëkuptim për sulmet verbale ndaj të tjerëve. Te e shumta mund të kemi keqardhje, por jo mirëkuptim për sulmet ndaj të tjerëve.