Covid 19, FMN lëshon një tjetër alarm për ekonominë në Shqipëri

14.03.2020 13:26:35

Teksa në Shqipëri rastet po shtohen nga të prekurit me COVID-19, një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka diskutuar në distancë me autoritet e vendit tonë. Në përfundim të këtij misioni nga datat 9 deri në 13 Mars FMN ka publikuar deklaratën në të cilën thotë se ekonomia e vendit do të ngadalësohet ndjeshëm si pasojë e COVID-19. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar është herët për të pasur vlerësime në shifra sesa do të jetë shkalla e ngadalësimit

“Perspektiva afatshkurtër për ekonominë shqiptare ka ndryshuar në tre muajt e fundit. Për më tepër, shpërthimi i fundit global i koronavirusit (COVID-19) pritet të ngadalësojë rritjen ekonomike më tej në vitin 2020.Shkalla e ngadalësimit është tejet e paqartë në këtë moment,do të jenë të nevojshme politika për të mbrojtur njerëzit gjatë shpërthimit të COVID-19 duke siguruar që sektori shëndetësor të ketë burime të mjaftueshme dhe duke mbështetur më të prekurit” – thuhet në shkresën zyrtare të FMN.

COVID-19 që ka prekur vendin është goditja e dytë që ekonomia shqiptare ka marr pas tërmetit të 26 Nëntorit. Fondi Monetar Ndërkombëtarë thotë se është e rëndësishme që projektet e rindërtimit të qeverisen në mënyrë sa më transparte.

“Do të jetë e rëndësishme të sigurohet që projektet e rindërtimit të administrohen në mënyrë transparente, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, dhe të kenë përparësi më të rrezikuarit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon të bëhet kujdes me amnistinë fiskale. FMN thotë se programe të tilla krijojnë favore fiskale për përfituesit kundrejt atyre që kanë paguar taksat rregullisht. Për më tepër fillimisht duhet të krijohen sisteme efektive për të zbuluar evazionin dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe korrupsion” – përfundon deklarata e FMN.