Covid-19/ Mali i Zi mbyll kufirin për shqiptarët, vetëm transit dhe me testin e kryer

20.06.2020 10:45:46

Mali i Zi mbyll kufijtë për Shqipërinë pas rritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19.

Prej mesnatës së ditës së nesërme, pra nga ora 00.00 e 21 qershorit, në territorin e Malit të Zi nuk do të lejohet asnjë shtetas nga Shqipëria për qëndrim. Ndërkaq, për kalimin transit do të lejohen vetëm ata që kanë një vërtetim ku kanë dalë negative nga testi për koronavirus, i bërë brenda 48 orëve.

Vendimin e ka marrë  Njësia Operacionale e Krizës në Podgoricë, e cila ka dërguar shkresën zyrtare në ministrinë e Jashtme dhe të Europës së Shqipërisë.

Dhe menjëherë pas kësaj shkrese, MPJ ka publikuar një njoftim për shtyp ku bën të ditur lajmin e marrë nga qeveria malazeze.

Në këtë fundjavë një numër i lartë i shqiptarëve kanë zgjedhur bregdetin e Malit të Zi për të pushuar, ndërkohë që një numër i madh personazh kanë prenotuar për javët në vijim, si pasojë e promovimit të bërë nga agjencitë turistike.

Megjithatë, ka një sërë kategorish që përjashtohen nga ndalimi, kryesisht personel shëndetësor, apo profesionistë që e kanë të rëndësishëm udhëtimin, e që kanë profesione specifike.

Këta kategori, detyrimisht janë të pajisur edhe me certifikatën e Covidit.