Cungu: Është tragjedi për shqiptarët e Malit të Zi që të humbnim mandate parlamentare si pasojë e përçarjes

16.10.2016 21:33:40

Kryetari i Komunës së Ulqinit dhe kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, ka komentuar zgjedhjet e sotme parlamentare në Malin e Zi.

Sapo janë mbyllur votimet e zgjedhjeve parlamentare të përgjithshme në Mal të Zi, si e cilësoni fushatën zgjedhore të këtij viti dhe çfarë përshtypje keni për procesin zgjedhor të sotshëm?

– Fushata zgjedhore e këtyre zgjedhjeve parlamentare është zhvilluar me një intensitet dhe agresivitet të pazakontë që kanë ardhur edhe si vazhdim i krizës së brendshme politike që zgjat prej një kohe të gjatë dhe që vitin e kaluar u karakterizua edhe me protesta të shumta në Podgoricë. Debati kryesor politik në nivel shtetëror është përqendruar tek politika e jashtme dhe orientimi gjeopolitik i Malit të Zi ku është vënë re një kundërshtim i ashpër i opozitës serbe pro-ruse kundër anëtarësimit tonë në NATO. Madje personalitete dhe analistë të rëndësishëm nga brenda dhe jashtë Malit të Zi kanë folur edhe për ndërhyrje të Moskës dhe Beogradit në politikën e brendshme të Malit të Zi nëpërmjet instrumentalizimit të partive serbe , financimeve të fushatave kundër NATO-s dhe formave të tjera. Po ashtu fushata ka pasur një vëmendje të madhe për sa i përket çështjeve ekonomike.

Sikurse mund të jeni informuar Mali i Zi është duke u përballur prej vitesh me probleme të mëdha ekonomike dhe borxhi publik lë shumë për të dëshiruar. Për sa i përket faktorit politik shqiptar koalicioni të cilit unë i përkas është angazhuar në fushatë për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Malin e Zi duke synuar që ti japi fund diskriminimit, asimilimit dhe emigracionit. Diskriminimi i vazhdueshëm politik që ka rëndur për dekada me radhë në kurriz të popullit tonë ka shkaktuar asimilimin ose braktisjen në një pjesë të mirë të trojeve tona. Po ashtu jemi angazhuar për të luftuar për të përmirësuar gjendjen ekonomike në trojet tona, për shtuar investimet infrastrukturore, për të përmirësuar shërbimet publike dhe për të rritur punësimin e kuadrove tonë në administratën shtetërore. Ne sot jemi grupi etnik më keq i përfaqësuar në strukturat shtetërore me vetëm 1% punësim ndërkohë që përbëjmë 5% të popullsisë.

Çfarë të rejash sjellin këto zgjedhje për shqiptarët e Malit të Zi? Cila është gjendja juaj politike?

– Shqiptarët gjenden politikisht më të dobët e të papërfaqësuar se kurrë në Parlament. Unë e di që në aspektin ndërshtetëror Mali i Zi ka marrëdhënie të mira me shtetet e banuara nga shqiptarët, pra me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Mirëpo, ndërkaq që këto marrëdhënie diplomatike bilaterale kanë avancuar faktori shqiptar në vitet e fundit ka ardhur duke u dobësuar.

Diskriminimi i rëndë shumëvjeçar ka bërë që fshatra e krahina të tëra e kanë braktisur identitetin tonë kombëtar e janë asimiluar dhe ky asimilim vazhdon edhe sot kur të gjithë flasin për standarde evropiane të trajtimit të pakicave dhe integrime Euro-Atlantike. Mjafton të shikohet Rozhaja, Tivari dhe Plavë-Gucia në censusin e fundit për të parë sa masive e dramatike ka qenë ky asimilim. Po ashtu trojet shqiptare jenë më të lënat pas dore për sa i përket sa i përket fondeve infrastrukturore apo shërbimeve publike. Varfëria dhe papunësia ka bërë që sot të ketë më shumë shqiptarë të Malit të Zi në mërgim se sa në vendlindje dhe kjo braktisje fatkeqe vazhdon edhe sot. Shteti i Malit të Zi sivjet mbushi 10 vjetori mirëpo mund t’ju them që në këto dhjetë vite prej krahinës së izoluar dhe neglizhuar të Krajës është larguar në emigracion një e treta e popullsisë shqiptare.

Sikur të mos mjaftojë pakësimi i numrit të shqiptarëve, si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike dhe presionit të madh një pjesë e votuesve tanë, pothuaj çereku, votojnë për parti malazeze e jo për partitë etnike shqiptare. Diskriminimi politik ndaj shqiptarëve arriti kulmin kur u ndryshua sistemi zgjedhor në 2009 dhe na u hoqën pesë deputetët e garantuar me ligj dhe tani maksimumi që mund të nxjerrin shqiptarët janë vetëm tre deputetë. Ky veprim i rëndë për përfaqësimin tonë politik në Mal të Zi u shoqërua me indiferencë dhe heshtje nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Unë nuk dua të dukem si njeri që ankohet dhe shikon në mënyrë negative, por situata është me të vërtetë e rendë dhe ne shqiptarët e paktë të ngelur në Mal të Zi nuk mund t’ia dalim dot ta përmirësojmë gjendjen tonë pa ndihmën e Tiranës dhe Prishtinës si dhe të diasporës.

Edhe në këto zgjedhje shqiptarët konkurruan përsëri të ndarë në tre lista, si shpjegon kjo përçarje? Përse është kaq e vështirë për të krijuar një trup unik politik të shqiptarëve?

– Keni shumë të drejtë që e shtroni këtë pyetje, sepse përçarja na dobëson dhe bashkimi bën fuqinë. Sivjet Forca e Re Demokratike që është partia kryesore shqiptare në Mal të Zi u bashkua me partitë kryesore rivale shqiptare dhe kemi formuar koalicionin më të madh të partive shqiptare në Mal të Zi pikërisht për të faktorizuar shqiptarët në politikën e këtij vendi. Partitë tona shtrihen kudo ku ka shqiptarë në Malin e Zi dhe është formuar si përgjigje e thirrjeve dhe kërkesave të popullit për t’u bashkuar. Kuptohet që ato që na bashkojnë janë shumë më të shumta dhe të rëndësishme se gjerat që na ndajnë prandaj vendosëm që të linim mënjanë inatet hatërmbetjet apo ndasitë tona të vogla për tu bashkuar për një kauzë më të madhe, interesin kombëtar.

Mirëpo thirrjes sonë për bashkim dhe për krijimin e një listë unike shqiptare nuk iu bashkuan të gjithë aktorët politik shqiptar në Mal të Zi dhe pjesa e ngelur vendosën të krijonin dy lista të tjera në këto zgjedhje. Prandaj shqiptarët garojnë me 3 lista të ndryshme, nga 17 lista sa garojnë gjithsej në tërë Malin e Zi dhe kjo gjë është shumë e dëmshme. Për hir të pluralizmit dhe dobisë së konkurrencës mund të jetë e e pranueshme deri diku që të kemi dy lista shqiptare por tre është e paarsyeshme sepse jemi vetëm 5% shqiptarë të ngelur në Mal të Zi. Ne e kemi pësuar keq në zgjedhjet parlamentare të mëparshme të vitit 2012 kur dy tre javë para zgjedhjeve u sajua një listë e re zgjedhore e quajtur Aleanca Rinore Shqiptare e cila vetë nuk morri deputet por ia pamundësoi listave të tjera shqiptare që të marrin deputetin e tretë në parlamentin e Malit të Zi që përbëhet nga 81 ulëse.

Kjo listë zgjedhore e improvizuar në moment të fundit mori 531 vota që shkuan dëm ndërkohë që sikur gjysma e këtyre votave të kishin shkuar tek listat e tjera shqiptare ne do të kishim tre deputetë në parlament. E njëjta gjë po ndodh sivjet në Mal të Zi, një listë e re e improvizuar pak javë para zgjedhjeve rrezikon jo vetëm mandatin e tretë por edhe të dytin shqiptar. Të gjithë ata që në mënyrë të qëllimshme apo prej naivitetit dhe kokëfortësisë krijojnë kësilloj listash elektorale përçarëse që skanë shans të kalojnë as pragun prej 0.7% kanë një përgjegjësi të madhe historike. Bashkimi i faktorit shqiptar në Mal të Zi shërben jo vetëm interesave tona kombëtare por edhe interesave të Malit të Zi pasi ne jemi faktor konstruktiv për konsolidimin e këtij shteti dhe integrimin Euro-Atlantik. Kështu që unë nuk e përjashtoj edhe që në këtë përçarje të kenë dorë armiqtë tanë tradicionalë duke iniciuar apo inkurajuar elementë të infiltruar përçarës brenda shqiptarëve. Rezultatet zgjedhore ende priten të dalin mirëpo do të ishte tragjedi e madh për ne shqiptarët e Malit të Zi sikur të humbnim mandate të tjerë parlamentare në këto zgjedhje si pasojë e përçarjes.

Si i shikoni marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën dhe çfarë prisni më shumë nga Prishtina zyrtare?

– Ne jemi mirëkuptues për situatën delikate diplomatike të Kosovës dhe kemi pritur në fakt më shumë nga Republika e Shqipërisë. Ne nuk mund të presim që Prishtina të kushtëzojë marrëdhëniet e saj bilaterale me Podgoricën ekskluzivisht me gjendjen e pakicës shqiptare kur ka sfida më të mëdha ende për të përmbushur e që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Kur ne shqitparët e këtushëm kemi votuar njëzëri për pavarësinë e Malit të Zi, këtë gjë e kemi bërë me vetëdije edhe sepse ishim të bindur që pavarësia e Malit të Zi do të hapte rrugën pa kthim të pavarësimit të Kosovës. Mirëpo gradualisht shpresojmë që përkujdesja e shtetit të ri të Kosovës ndaj bashkëkombasve në Mal të Zi të filloj e të rritet bashkë me konsolidimin e pozicionit në arenën ndërkombëtare.

Po ashtu rëndësi të jashtëzakonshëm për shqiptarët e Malit të Zi ka projekti i rrugës Deçan-Plav që u nis të ndërtohej nga kryeministri Thaçi dy vite më parë, mirëpo që është lënë në harresë nga qeveria aktuale në Kosovë. Ne po bëhet një dekadë që lobojmë për ndërtimin e rrugës së bjeshkëve që lidh Malësinë me Gucinë nëpërmjet luginës së Cemit në Shqipëri e që mandej kalon në Plave e Deçan duke krijuar një korridor të ri të kombit tonë. Rruga deri në Vermosh është gati në mbarim mirëpo po çalon puna në Kosovë. Rruga Deçan Plavë do ta nxirrte nga izolimi Plavën e Gucinë, do të frenonte e mbase kthente pas asimilimin e shqiptarëve dhe njëherazi do të ndihmonte në zhvillimin e ekonomisë, në nxitjen e turizmit, bujqësisë e blegtorisë në atë zonë duke ulur papunësinë dhe ndalur emigracionin masiv. Ekziston gjithashtu edhe një rrugë tjetër ndërshtetërore që mund të nxjerrë nga izolimi krahinën e Plavës dhe Gucisë dhe të shndërrohet së shpejti në një nyje të rëndësishme ndër-shqiptare nëpër alpe. Bëhet fjalë për krijimin e vendkalimit kufitar dhe rrugës përkatëse ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi në Qafë të Vranicës që do krijonte një lidhje të shkurtër me Kosovën. Kosova mund të lobojë për të përshpejtuar marrëveshjen që lidhet me këtë pikë kufitare të nënshkruar pesë vite më parë sepse nëpërmjet kësaj rruge Plava lidhet me Gjakovën nëpërmjet Tropojës me gjysmën e distancës dhe kohës aktuale.