Dallaveret me prona, lirohet ish-kryetari i Gjykatës Nuhi Uka

21.10.2016 16:06:33

Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, është liruar nga akuza për krim të organizuar. Ai u shpall i pafajshëm të premten nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

Uka që akuzohej nga një trup gjykues i EULEX-it për krim të organizuar dhe mashtrim u lirua nga akuza e parë, ndërsa akuzat tjera iu vjetruan.

Bashkë me Ukën në këtë proces gjyqësor akuzoheshin edhe Sanije Muçolli, avokatja dhe ish-gjyqtarja e gjykatës që drejtohej nga Uka dhe Fehmi Havolli, eksperti i gjeodezisë në Komunën e Prishtinës, shkruan Kallxo.com.

Aktakuza ndaj Muçollit e Havollit u hodh poshtë, ngase veprat për të cilat ngarkoheshin u vjetruan.

Pjesë e gjykimit ishin edhe Kadrie Hashani, Kimete Hashani-Ukaj, Mirafete Hashani-Bislimi, Hilmije Miftari dhe Ibadete Hashani.

Gjykata dënoi me dy vjet burg me kusht për legalizim të përmbajtjes së rreme Kadrie Hashanin dhe Kimete Hashani-Ukajn.

Ato nuk do të shkojnë në vuajtje të dënimit prapa grilave nëse nuk kryejnë ndonjë vepër penale tjetër gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Po për legalizim të përmbajtjes së rreme u dënuan me 1 vit e 10 muaj burg me kusht edhe Mirafete Hashani-Bislimi, Hilmije Miftari dhe Ibadete Hashani.

Edhe këto nëse nuk duan të përfundojnë në burg, duhet të mos kryejnë vepër tjetër penale brenda dy vjetëve.

Të gjithë të pandehurit ngarkoheshin se kanë formuar një grup të organizuar kriminal, secili me rolet e veta specifike, ndërsa Nuhi Uka ka qenë udhëheqës i këtij grupi.

Sipas aktakuzës, më 22 shkurt të vitit 2006 dhe 26 korrik të vitit 2006, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore Nuhi Uka ia ka caktuar lëndën relevante duke shkelur të gjitha parimet ligjore Sanije Muçollit, për t’ia dhënë pronën në mënyrë të kundërligjshme Ajkuna Hashanit, njëkohësisht duke e dëmtuar Komunën e Prishtinës.

Nuhi Uka është edhe njëri nga 52 të hetuarit për keqpërdorim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë, bashkë me ish-deputetin e PDK-së, Azem Syla.