Daut Haradinaj ia “godet” mikrofonin Zemajt, reagon LDK-ja (Video)

13.07.2018 14:30:51

Gjatë fjalimit të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në seancën e së enjtes deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ia ka goditur mikrofonin dhe ka vazhduar tutje për në ulësen e tij.

Në lidhje më këtë ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti i cili e ka publikuar videon në rrjetin social Facebook, duke e quajtur sjelljen e Haradinajt të papranueshme, jo parlamentare dhe të dënueshme.

Ai përmes rrjetit social Facebook ka thënë se ky veprim nuk do të tolerohet.

Sipas tij, kushdo do të përballet me refuzim të fuqishëm nga LDK-ja dhe qytetarët e Kosovës.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Hotit:

“Sjellja e Deputetit Haradinaj ndaj deputetit Zemaj në seancën parlamentare të enjten më 12 korrik, i cili po e kryente detyrën e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, është e papranueshme, jo parlamentare dhe e dënueshme.

Deputetet e koalicionit të pakicës, në veçanti ata nga AAK, vazhdimisht kanë përdorur gjuhë jo parlamentare ndaj deputetëve të LDK-së. Por, tani sjelljet e tyre po eskalojnë në provokime fizike.

Kjo nuk do të tolerohet. Ata dhe kushdo tjetër do të përballen me refuzim të fuqishëm nga LDK dhe qytetarët e Kosovës.

Forca e muskujve dhe sjelljet brutale e dhuna nuk mund të përcaktojë zhvillimet politike në Kuvend dhe në Kosove përgjithësisht.

Sjelljet e tilla, për një kohë të gjatë, e kanë quar LDK-në në kufirin e tolerancës së saj politike ndaj kundërshtarëve të saj.

Reagimi i LDK-së, përmes mbështetjes qytetare e cila është e lartë dhe në rritje, ndaj kësaj kulture politike brutale do të jetë deciziv për të ndaluar sjelljet e tilla dhe modelin e qeverisjes brutale të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Hoti.