David McAllister:Serbia t`i pranojë krimet e kryera në Kosovë

David McAllister:Serbia t`i pranojë krimet e kryera në Kosovë

05.04.2017 10:10:56

Derisa nuk pranon krimet e kryera në Kosovë dhe nuk normalizon marrëdhëniet me Kosovën, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së, thotë për mediet gjermane David McAllister, raportues për Serbinë dhe kryetar i Komisionit për politikë të jashtme i Parlamentin Evropian.

“Serbia, duhet të pranojë krimet që ka kryer në konfliktin me Kosovën”. Kështu i ka deklaruar “Neue Osnabrücker Zeitung”, politikani gjerman nga radhët e CDU-së, eurodeputeti David McAllister, raportues për Serbinë dhe kryetar i Komisionit për politikë të jashtme i Parlamentin Evropian. “Një detyrë tjetër tejet e rëndësishme për Serbinë është normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Kosovën”.

“Deri sa të bëhet kjo, rruga e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian është shumë e largët” ka deklaruar David McAllister për gazetën gjermane Neue Osnabrücker Zeitung . Ndërkaq, gazeta Suedwesstpresse, në një artikull kushtuar Ballkanit thekson situatën e tensionuar në rajon, e cila siç konstaton gazeta, do të eskalonte qysh moti në konflikte të armatosura, po të mos ishte NATO dhe prania e BE-së në Ballkan. Për sa i përket raporteve të Serbisë me Kosovën, gazeta Suedwesstpresse, shkruan se “do të ishte një veprim shumë konstruktiv sikur Serbia ta njihte pavarësinë e Kosovës, dhjetë vite pas shpalljes shtet i pavarur. Edhe Suedwesstpresse, në artikullin për zhvillimet në Ballkan, pas zgjedhjes së Aleksander Vuçiqit, presidenti i Serbisë, shkruan se “Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian për aq kohë sa nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur”. “Ka dhjetë vite që dialogu me Kosovën po dremit”, shkruan kjo gazetë gjermane e cila kritikon ashpër qëndrimin e Bashkimit Evropian, që përkrah gjithmonë më të fortët. Do të ishte shumë e dobishme sikur politikanët evropian të mos u japin përkrahje “njerëzve të fortë” në Ballkan, pasi kjo vetëm sa forcon nacizoismin e tyre, shkruan Suedwesstpresse.