Debati mbi korrigjimin e kufijve, Meta: Marrëveshja të shërojë ndjenjën e urrejtjes

29.08.2018 10:14:38

E në një kohë që vijon debati mbi korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, në një intervistë për “Albanian Daily News”, presidenti I Shqipërisë, Ilir Meta, ka pohuar se dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të realitetit, në emër të paqes e stabilitetit.

“Çdo debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi. Marrëveshja që mendohet të arrihet mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive. Marrëveshja të ndihmojë frymën e bashkëjetesës, harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara. Është jetike të mos rikthehen më kurrë pamje të shpërnguljes ose lëvizjes me dhunë të familjeve, qofshin këto serbe apo shqiptare. Asnjë familje e vetme nuk duhet të mendojë shpërnguljen për shkak të pasigurisë që sjell debati i ndryshimit të kufijve. Shqipëria ka qenë e mbetet mbështetëse e fortë e dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Rëndësi e veçantë respektimi i parimeve bazë të sanksionuar në Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE për sigurinë në Europë, veçanërisht parimi i mos-ndryshimit të kufijve. Uroj për Kosovën një bashkim forcash e energjish që promovojnë e mbështesin në unison interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve të saj. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, realitet i njohur dhe i pranuar nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB. Mbështes qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë në përkrahje të përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për ruajtjen e stabilitetit, integritetit territorial, karakterit multietnik të shtetit të Kosovës. Procesin e integrimit të rajonit në BE e shoh drejt bërjes të parëndësishëm të kufijve dhe jo drejt imponimit të kufijve të rinj”, tha Presidenti.