Deçan: Asamblistët e LDK-së bojkotojnë mbledhjen e jashtëzakonshme për Haradinajn

09.01.2017 14:04:09

Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme ku është kërkuar nga qeveria franceze lirimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, por këtë mbledhje e kanë bojkotuar asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nga të gjitha grupet e asamblistëve në Deçan në mbledhje kanë munguar vetëm ata të LDK-së.

Arsyet për këtë bojkot nuk dihen, derisa kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, ka deklaruar se një mungesë e tillë nuk është dashur të bëhet pasi mbledhja e Asamblesë është kërkuar nga të gjithë qytetarët e Deçanit pa dallim partie.

“Nuk është dashtë të ndodhë kjo, sepse kjo mbledhje është me kërkesë të qytetarëve të komunës dhe për interes të Kosovës”, ka thënë Selmanaj.