Deda: Gjakovarët nuk do të kthehen në gjendjen e para vitit 2013

26.10.2017 20:39:29

 

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka theksuar se kandidatja e kësaj partie – në garën e balotazhit – në Komunën e Gjakovës, do të kërkojë mbështetjen e drejtpërdrejtë nga qytetarët.

 

Deda në emisionin “Info Box”, të RTV Dukagjini, i ka falënderuar gjakovarët për mbështetjen që ia kanë dhënë kryetares aktuale, duke shtuar se “këto rezultate i kanë hedhur poshtë spekulimet se Alternativa nuk do të jetë as në balotazh”.

“Besoj se qytetarët e Gjakovës do të votojnë për projektet zhvillimore të së ardhmes dhe në asnjë mënyrë nuk do të kthehen në gjendjen e para vitit 2013”, ka shtuar Deda.

Duke folur për koalicionet eventuale në garën e balotazhit në Gjakovë, Deda ka thënë se votuesit nuk mund të dirigjohen me sustë për kënd do të votojnë, dhe se sipas tij, jo çdo herë vendimet e qendrës për koalicion, respektohen nga votuesit e asaj partie.

“Në këto katër vite kryetarja e Gjakovës ka sanuar dëme të cilat janë shkaktar nga qeverisja e mëparshme. Një katër vitet e ardhshme do të paraqitet vizioni për zhvillimin e kësaj komune”, ka shtuar Deda.