Deda: Kuvendi do ta hedhë poshtë idenë e Thaçit për kufijtë, prandaj po nervozohet Veseli

27.08.2018 23:51:04

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Ilir Deda përmes një postimi në “Facebook”, ka komentuar deklaratën e kryepralamentarit Kadri Veseli i cili e ka quajtur absurde dhe të panevojshme kërkesën e partive opozitare për seancë të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë, shkruan “Zëri.info”.

Sipas Dedës kjo nervozë e Veselit dëshmon që Kuvendi me shumicë votash do ta hedh poshtë korrigjimin e kufijve me Serbinë.

“Nervoza e Kadri Veselit dëshmon që Kuvendi me një shumicë të madhe të votave do ta hedh poshtë “korigjimin”/ndarjen/këmbimin e territoreve. Ai mundet vetëm të vendosë a do ta përkrahë Thaçin me margaritarin e fundit të këtij të fundit që “nuk duhet të jemi të burgosur të kufijve të Jugosllavisë”, apo do ta mbrojë tërësinë territoriale të shtetit tonë”, ka shkruar Deda.

Kjo kërkesë nga tri partitë opozitre, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate ka ardhur sot e që është kërkuar që kjo seancë të mbahet para takimit Thaci- Vuciq i cili do të zhvillohet me 7 shtator në Bruksel e ku pritet të diskutohet për kufijtë e te të dy shteteve.