Deda: Thaçi nuk mund të vendosë krye në vete për dialogun me Serbinë

03.07.2017 16:27:10

Themeluesi i Alternativës, Ilir Deda, e cilëson dialogun me Serbinë si çështje nacionale, për të cilën duhet të merret vendim me konsensus të gjerë të skenës politike, dhe ketë, nuk duhet ta vendosë vetëm Presidenti Thaçi.

Deda, në Facebook, ka shkruar se Presidenti Thaçi duhet të marrë aprovimin e partive, para se të merret vesh me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq, për vazhdimësinë e dialogut, duke kaluar në një fazë të re të tij.

Ky është shkrimi i plotë i Dedës:

Interesi shtetëror i Kosovës në dialog duhet të ndërtohet vetëm me konsensus të gjerë të partive politike. Ate nuk mund t’a ndërtojë asnjë bartës institucional krye në veti.Para se të ndërmerr hapa të njëanshëm, kryetari i Kosovës duhet të merr aprovimin e partive politike në Kosovë. Hashim Thaçi nuk është person privat që të merret vesh me Aleksandër Vuçiqin për “fazë të re të dialogut” me Serbinë. Me historinë e tij në dialog ku nuk e ka përfaqësuar interesin e Kosovës dhe ku nuk e ka respektuar Kushtetutën, Thaçi si kryetar i Kosovës – dhe krye në vete – nuk mund të bëjë marrëveshje me Vuçiqin.