Dëgjohen tre dëshmitarë në rastin ku Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

20.04.2021 19:15:08

Në rigjykimin për rastin ku Gani Geci po akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që kishte ndodhur më 4 gusht të vitit 2014, në seancën e së martës janë dëgjuar dëshmitaret Sejdi Gashi, Zijadin Geci dhe Bahri Nika.

Fillimisht është dëgjuar dëshmitari Sejdi Gashi, i cili ka deklaruar se qëndron pranë deklaratave të dhëna me herët.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Naim Beka, dëshmitari ka thënë së Ruzhdiun dhe Ganiun i njeh në bazë të televizionit.

“Përafërsisht prej cilit vit i njeh?”, ka pyetur prokurori Naim Beka, për çka dëshmitari u përgjigj: “Prej luftës”.

Ai tha se nuk e kishte ditur çfarë raportesh kanë pasur, veç e kishte ditur që kishin pasur telashe.

“Në deklaratën që keni dhënë në prokurori, ke thënë se e ke parë Ganiun kur e ka shkrep armën dhe e keni parë Ruzhdiun kur është rrezuar. Nëse të kujtohet, çfarë distance ka qenë?”, ka pyetur prokurori Beka dëshmitarin.

“Sa më kujtohet ka qenë dy metra, një metër qashtu afërisht”, u përgjigj Gashi.

Pas dëgjimit të tij, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Zijadin Geci, i cili ka deklaruar se qëndron pranë deklaratave te dhëna më herët.

“Kur keni dalë, keni qenë ju përpara duke lëvizur apo Ganiu?”, ka pyetur prokurori Beka.

“Në momentin kur jemi ngritë prej tavolinës që kemi qenë brenda, Ganiu ka shkuar e ka marrë telefonin dhe mbushësin të shanku, unë kam qenë jashtë, pastaj ka ardhur Gania pas meje”, është përgjigjur dëshmitari Geci.

“Ju e keni dëgjuar fjalën “Selam Alejkum”. A jeni i sigurt që e keni dëgjuar?”, ka pyetur tutje prokurori Beka, për çka dëshmitari u përgjigj “Po, e kam dëgjuar dhe jam i sigurt”.

“A ka pasur shkallë, a mund të ndërlidhni më shkallët ku ishte ti dhe ku ishte Ganiu, kur u dëgjua kjo fjalë?”, ishte pyetja e prokurorit Beka për dëshmitarin Geci.