Deklarata e Lu për klanet kriminale, Rama: Shumë shpejt rezultate  

04.10.2017 19:21:11

Kryeministri Edi Rama komenton deklaratën e ambasadorit amerikan në vendin tonë Donald Lu, i cili tha se katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale në Shqipëri.

“Falënderoj ambasadorin Lu që u bashkua me mua. Shumë mirë që e tha edhe ambasadori amerikan, ne po punojmë intensivisht. Ndodhi në Elbasan një ngjarje që mori goxha jehonë mediatike dhe që shërbeu edhe si një lloj katalizatori për të rritur propagandën për këtë çështje. Ju siguroj se çështja e Elbasanit është në ndjekje të vazhdueshme. Opozita dhe analistët gojën kanë, me gojën punojnë dhe nëpërmjet gojës ushqehen.

Shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për atë çështje dhe shumë shpejtë do të ketë veprime të pandërprera të policisë së shtetit për të goditur organizatat kriminale dhe për të goditur të inkriminuarit brenda policisë së shtetit sepse në zona ku veprojnë këto lloj forcash ka inkriminim të policisë së shtetit.

Këto elementë nuk kanë lindur në këtë 4 vjeçar dhe karriera e tyre në botën e krimit është e vjetër dhe e konsoliduar dhe me lidhje të njohura me opozitarët e sotëm nëse duam të bëjmë politikë. Ajo që ka rëndësi është që policia e Shtetit ka hyrë në një fazë të re për të shkuar në një nivel më lartë se 4 vite më parë. Ne do të mbyllim kapitullin e kanabisit. Në fund të muajit tetor do të presim raportin zyrtar nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar.

Ndërkohë, brenda pranverës së ardhshme do të kemi një situatë të re në përpjekjen kundër këtyre lloj elementëve shqetësues për komunitetet dhe për ecuritë e mëtejshme të punëve të vendit.

Ne kemi hyrë në një proces të ndërtojmë një qeverisje tërësisht ndryshe, edhe në luftën kundër krimit, elementëve kriminalë, organizatave kriminale apo të ashtuquajtura familje…,e ku e di unë se çfarë”, tha Rama.