Deklarata shokuese e inspektorit të AUVK-së: Fabrikat që kanë leje s’kemi të drejtë ligjore t’i ndalojmë

19.03.2018 21:52:51

Dy kompani kosovare që kanë importuar mish të prishur nga Belgjika, e kishin gjetur në berëzën ndërkombëtare çmimin prej 93 cent për kilogram. Kjo i kishte shtyrë këto kompani ta blinin këta mish, e që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk po ua publikon emrat duke shkaktuar amulli në opinion.

Mishi ishte 12 vite i vjetër, dhe shitej nga një kompani në Belgjik e quajtur “Veviba”, që Kosova ishte vendi që mund të plasohej më së lehti.

Televizioni shtetëror belg ka raportuar se në Kosovë kanë hyrë 200 tonelata me kësi lloj mishi, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se i ka asgjësuar 40 tonelata. Ndërsa 160 tonelata supozohet se kanë shkuar në tryezat e kosovarëve.

Për çdo rrezik eventual që iu kanoset qytetarëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të duhej të lajmronte qytetarët.

“II.3. PARIMI I TRANSPARENCËS Neni 8 1. Pika 2. Nëse ekziston dyshimi i bazuar se ushqimi për njerëz apo ushqimi për kafshë mund të paraqes rrezik për shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve, varësisht nga natyra, serioziteti dhe vëllimi i rrezikut, Agjencia merr masat për informim e opinionit publik mbi natyrën e rrezikut për shëndetin, duke e bërë identifikimin e ushqimit për njerëz dhe ushqimit për kafshë, llojin e tyre dhe rrezikun që mund ta shkaktojnë ato, duke i publikuar sa më shpejtë që është e mundur, masat që janë ndërmarrë ose që do të ndërmerren për parandalimin, evitimin, zvogëlimin dhe eliminimin e atij rreziku”, thotë  Ligji për Ushqimin e Republikës së Kosovës.

Deri më tani Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk e ka lajmëruar qytetarët për atë që e obligon ligji.

E Ibrahim Tërshnjaku, shef i Inspektoratit Sanitar të Kosovës, thotë se nuk kanë drejt t’i ndalojnë të operojnë ato kompani që importojnë mish të prishur në Kosovë.

“Të gjitha ato fabrika të cilat kanë leje nuk kemi të drejtë ligjore mos t’i lëmë. Ne kemi  kryer të gjitha kontrollet pa marrë parasysh edhe për fabrikat e tjera që i kemi ndalu qoftë nga Argjentina dhe Brazili që ka ndodh me pasë skandale të tilla. Dhe për ato fabrika që nuk kanë numër importues ne nuk japim as leje për import”, tha Tërshnjaku, duke harruar që ligji ia jep të drejtën e plotë Agjencisë së Ushqimit që të marr masa për importuesit që rrezikojnë jetën e njerëzve.

Por ligji e specifikon saktë për ata që importojnë produkte të rrezikshme.

Skandali shpërtheu kur mediat në Belgjik raportuan se në Kosovë ka hyrë sasi e madhe e mishit të prishur që ishte i vjetër 12 vite.