“Deklaratat e Bidenit nuk e ndryshojnë Demarkacionin”

19.08.2016 17:33:28

Thirrjet e kryeministrit Isa Mustafa, që deputetët ta votojnë demarkacionin mbeten të çuditshme për partitë opozitare, sipas të cilave Mustafa po mundohet ta shpëtojë Hashim Thaçin, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen për Demarkacionin.

“Për mua është e çuditshme pse Isa Mustafa me insistim kaq të madh, po mundohet me shpëtu Hashim Thaçin. Marrëveshja e Demarkacionit është e lidhur ngushtë me fatin personal të Hashim Thaçit. Sepse ai e ka nënshkruar. Kurse Isa Mustafa është bërë një shërbëtor tipik i Hashim Thaçit dhe me çdo kusht po mundohet të bëjë presion dhe t’i kërcënojë deputetët dhe opozitën, në mënyrë që me kalu këtë Demarkacion. Ani pse ne e kemi parë më 3 gusht edhe më herët edhe më vonë, se të gjitha faktet e ekspertëve të pavarur dhe banorëve, janë në anën e atyre që po e kundërshtojnë këtë formë të demarkacionit. Për çështjen e asociacionit e kemi edhe vendimin e gjykatës kushtetuese. Tashmë nuk është relevante nëse është pakicë apo shumicë, por është vendim i gjykatës kushtetuese që kjo është në shpërputhje me kushtetutën e Republikë s së Kosovës”,ka thënë për kp Frashër Krasniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes.

Ndërsa sa i përket deklaratave të zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, Krasniqi thotë se në asnjë moment Biden nuk e ka kushtëzuar Demarkacionin dhe asnjë marrëveshje tjetër me mbështetjen e Amerikës për Kosovën.

Sipas tij deklaratat e Bidenit nuk e bëjnë as më të mirë dhe as më të keq Demarkacionin dhe as Asociacionin dhe se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë t’i kundërshtojë fuqishëm.

Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën tha për kp se kryeministri Mustafa po të kishte pak ndërgjegje do të jepte dorëheqje e jo të ketë një Qeveri jolegjitime, e cila vazhdon të bëjë pazare duke i rehatuar nëpër pozita bashkëpartiakët e vet.

“Sa i përket deklaratës së kryeministrit, ai po të kishte ndërgjegje qysh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, do të dorëhiqej, pasi që vendimi i Gjykatës e shpalli në kundërshtim në 23 nene të saj Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Edhe në ditët e sotme kemi një Qeveri jolegjitime dhe si e tillë po bën gabime, pazare vetëm e vetëm t’i rehatojë bashkëpartiakët dhe për asnjë moment nuk po mendon për vendin dhe për qytetarët. Prandaj, ‘Nisma’ nuk është kundër krijimit të një Asociacioni, por ai s’duhet të jetë ashtu siç është ai aktual, dhe assesi një të tillë me kompetenca ekzekutive”, tha Bajrami.

Sa i përket çështjes së Demarkacionit dhe deklaratave të Biden ajo thotë se zëvendëspresidenti kërkoi që ky proces të përfundojë, por nuk ka thënë se duhet të përfundojë me versionin aktual.