Dekorata më e lartë e Austrisë në nder të Presidentit Alfred Moisiu

30.08.2019 20:49:25

Me rastin e ceremonisë së largimit të Ambasadorit Austriak Johannes Sattler, Presidenti Alfred Moisiu është dekoruar nga Presidenti i Republikës se Austrisë, Alexander Van der Bellen me dekret të 11 korrikut 2019 me Medaljen e Madhe të Artë të Nderit për shërbime të çmuara ndaj Republikës së Austrisë.

“Gjatë mandatit tuaj presidencial hapa të rëndësishëm u hodhën në drejtim të partneritetit me NATO-n dhe zhvillimin e marrëdhënieve drejt integrimit në BE. Ju nuk ishit vetëm aktiv si President por edhe pas përfundimit të mandatit tuaj, nëpërmjet “Forumit Civil 2010”, i cili edhe sot është një forum shumë aktiv i përbërë nga një grup intelektualësh ekspertësh nga politika, shkenca, gazetaria dhe jurisprudenca, të cilët japin kontributin e tyre drejt zgjidhjes së problemeve politike ne vend”, tha amasadori.

Gjithashtu ai u shpreh për lidhjen personale që Presidenti gëzon me aktorin e madh me famë botërore, Aleksandër Moisiu, për të cilin ai shprehu keqardhjen e tij për pamundesine e krijimit të një shtepie muze për Aleksandër Moisiun në Kavajë, por përmendi mundësinë e mbështetjes së mëtejshme të ambasades drejt krijimit të këtij muzeu në Kavajë.

Ai e përmbylli fjalën e tij duke vlerësuar karrierën e Presidentit sidomos këto vitet e fundit, ku ai është shprehur publikisht për zgjidhjen e problemeve politike që lindin herë pas here në këtë vend.

Në të njëjtën ditë bashkë me Zotin Moisiu u dekoruan edhe Z. Paskal Milo dhe Znj. Lindita Komani.