Dekriminalizimi, asnjë zyrtar i dënuar që nga miratimi i ligjit

26.10.2016 10:22:00
Kuvendi i Shqipërisë ka dhënë informacion në lidhje me ecurinë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit dhe sipas tij, “asnjë nga subjektet e verifikimit nuk ka rekorde të gjëndjes gjyqësore në vend, pra rezultojnë të gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare”.

“Nga verifikimi i kryer nga struktura e posaçme e ngritur në Kuvend, asnjë nga zyrtarët nuk ka deklaruar të jetë i dënuar nga gjykatat shqiptare, përveç rasteve të dënimit politik në kohën e diktaturës, që nuk janë pjesë e këtij ligji”, lexohet në komunikatën e Kuvendit.

“Nga struktura e posaçme e Kuvendit, janë verifikuar emrat nominalë të zyrtarëve të cilët kanë deklaruar ose jo ndryshime të përbërësve të gjëndjes civile.

Nga ky kontroll i strukturës , rezulton se shumë emra i referohen ndryshimeve të mbiemrit pas martesës apo dhe ndryshimit të mbiemrit si rrjedhoje e dekretit të Presidentit për marrje shtetësie si dhe korrigjimeve për shkak të gabimit material nga zyrat e gjëndjes civile.

Këto ndryshime  janë të përputhura edhe me rregjistrin e gjëndjes civile të verifikuar nga zyra përkatëse e gjendjes civile, shkruan TCH.

Nga verifikimi i strukturës së posaçme, e krahasuar me të dhënat e zyrës së gjëndjes civile, na rezulton se disa zyrtarë që kanë vetdeklaruar ndryshime të emrit apo mbiemrit në kohë të ndryshme më të hershme, nuk rezultojnë me ndryshime të tilla në Rregjistrin aktual referues të vitit 2010.

Siç dhe arsyetohet në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjëndjes Civile, konsultimi i plotë i këtyre të dhënave vijon në zyrat përkatëse të gjëndjes civile ku ato figurojnë të regjistruar”, shton Kuvendi i Shqipërisë.