Dekriminalizimi, Kuvendi: Asnjë zyrtar nuk rezulton i dënuar

26.10.2016 14:09:42

Kuvendi i Shqipërisë ka dhënë informacion në lidhje me ecurinë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Në njoftimin zyrtar thuhet se asnjë nga subjektet e verifikimit nuk ka rekorde të gjendjes gjyqësore në vend, pra rezultojnë të gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare.

“Është administruar në Kuvend, informacioni mbi gjendjet gjyqësore për të gjithë funksionarët që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë Kryetarit të Kuvendit. Nga përgjigja e kësaj drejtorie, rezulton se asnjë nga subjektet e verifikimit nuk ka rekorde të gjendjes gjyqësore në vend, pra rezultojnë të gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare.

Nga verifikimi i kryer nga struktura e posaçme e ngritur në Kuvend, asnjë nga zyrtarët nuk ka deklaruar të jetë i dënuar nga gjykatat shqiptare përveç rasteve të dënimit politik në kohën e diktaturës që nuk janë pjesë e këtij ligji.

Pas një rikujtesë shkrese dërguar DPGJC, është administruar së fundmi edhe përgjigjia nga kjo zyrë, me verifikimin e përbërësve të të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile të vitit 2010, për të gjithë listën emërore të funksionarëve publikë, subjekt i këtij ligji pranë Kryetarit të Kuvendit.

-Përmes kësaj përgjigje, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile  ka dërguar listën emërore të konsultuar me të dhënat e vetëdeklaruara nga subjektet dhe ato që pasqyrohen në regjistrat themeltarë ( regjistri kombëtar i shtetasve NCR ) ku janë dhënë edhe ndryshimet përkatëse për ato raste që kanë rezultuar të tillë.

Nga struktura e posaçme e Kuvendit, janë verifikuar emrat nominalë të zyrtarëve të cilët kanë deklaruar ose jo ndryshime të përbërësve të gjendjes civile.

Nga ky kontroll i strukturës , rezulton se shumë emra i referohen ndryshimeve të mbiemrit pas martesës apo dhe ndryshimit të mbiemrit si rrjedhoje e dekretit të Presidentit për marrje shtetësie si dhe korrigjimeve për shkak të gabimit material nga zyrat e gjendjes civile. Këto ndryshime  janë të përputhura edhe me regjistrin e gjendjes civile të verifikuar nga zyra përkatëse e gjendjes civile.

Nga verifikimi i strukturës së posaçme, e krahasuar me të dhënat e zyrës së gjendjes civile, na rezulton se disa zyrtarë që kanë vetëdeklaruar ndryshime të emrit apo mbiemrit në kohë të ndryshme më të hershme , nuk rezultojnë me ndryshime të tilla në Regjistrin aktual referues të vitit 2010. Siç dhe arsyetohet në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, konsultimi i plotë i këtyre të dhënave vijon në zyrat përkatëse të gjendjes civile ku ato figurojnë të regjistruar”, njofton Kuvendi.