Delawie, edhe një thirrje deputetëve për Demarkacionin

05.03.2018 12:47:12

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, edhe një herë, përmes një postimi në Twitter, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë Demarkacionin me Malin e Zi.

“Një punë e madhe drejt afrimit të qëndrimeve ka sjellur marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi më afër se kurrë ratifikimit. Deputetë, është koha të kaloni vijën përfundimtare këtë javë”, ka shkruar Delawie në Twitter.

Ndryshe, me gjithë thirrjet e përfaqësuesve të institucioneve kryesore vendore dhe atyre ndërkombëtare në Kosovë, marrëveshja për Demarkacionin nuk ka mundur të ratifikohet as gjatë javës së kaluar.

Kjo për faktin se përveç Lëvizjes Vetëvendosje, edhe Lista Serbe është shprehur se nuk do ta votojë atë.

Gjithashtu, ka pasur edhe përplasje politike në mes të përfaqësuesve të LDK-së dhe AAK-së rreth asaj nëse duhet të përfshihet edhe si të përfshihet raporti i Komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.