Dema: Në UP s’ka avancime pa meritë, as me ndërhyrje politike

05.02.2017 14:06:55

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, shprehet i bindur se prej ardhjes së tij në krye të UP-së janë vënë standarde të cilat janë të pakapërcyeshme për gjithë stafin që synon avancimin, derisa, sipas tij, standardet e krijuara, mbajnë larg edhe ndërhyrjet politike.

Rektori Dema thekson në një intervistë për KosovaPress se kur ka ardhur para dhjetë muajve në krye të Universitetit të Prishtinës, e ka gjetur atë në një gjendje të rëndë, gati për të hyrë në listën e zezë, ku nuk do të pranonte askush të bashkëpunonte me të.

I pari i UP-së shton se pas ardhjes së tij si rektor, bashkë me ekipin e tij kanë vendosur standardet me të cilat do të matin cilësinë dhe do të mundësojnë avancimin e stafit akademik sipas kritereve.

Ai me bindje thotë se kurrë prej se është në krye të UP-së nuk ka ndërhyrë për të avancuar dikë pa meritë.

“Kurrë në jetë nuk kam ndërhy për asnjë pranim të studentëve, asnjë avancim, asnjë pranim as të stafit të ri”, thekson Dema.

Rektori Dema shpjegon edhe raportimet për avancime të kundërligjshme, ani pse nuk preferon t’i quaj të tilla.

Ai thotë se nuk lejon në asnjë mënyrë avancime pa meritë, sepse sipas tij, këtë nuk e lejojnë standardet e krijuara, derisa për mundësinë që ndonjëri të bëjë avancime të tilla, kërkon që t’i deponojnë me fakte ato.

Dema ka shpjeguar edhe rastin e mos pranimit të një asistenteje në Fakultetin e Mjekësisë, e cila u raportua në media se kishte kualifikimet me shumë se sa kundërkandidati i saj.

“”Të dy i kanë plotësuar kushtet, ka qenë, sa di unë, një diferencë 0.2 e notës mesatare. Asistenti që ka qenë me thirrje asistent, ndërsa Rozafa ka qenë asistente e re, ai ka qenë në lëndë të vet, ajo e ka kryer në Universitet të Tetovës, ndërsa, ky në UP dhe ka qenë student i dalluar, ka ardhë në senat është bërë debat, dhe votimi ka qenë që senati u ia ka dhënë atij kandidatit që nuk ia di as emrin”, ka shpjeguar Dema.

Pas këtij rasti, Dema thotë se kandidatja Rozafë Koliqi ka sabotuar punën dhe për dy muaj nuk ka mbajtur mësim për çka janë detyruar të marrin masa.

Ndërsa, ajo ua ka sjell edhe Agjencinë Anti-Korrupsion, për të cilin Dema thotë se nuk ka lëndë për trajtim dhe nuk e din pse ka shkuar.

Rektori i UP-së, Marjan Dema ka mohuar se politika ndërhyn në institucionin që ai udhëheq, duke thënë se këtë e ka eliminuar duke vënë standarde.

Dema ka folur edhe për rangimin e UP-së si i 3790-ti, 88 vende më lartë se sa herën e fundit, duke thënë se institucioni që ai udhëheq po shkon drejt një universiteti elitar.

Gjatë mandatit të tij prej dhjet muajve, Dema tha se ka eliminuar të gjitha listat e revistave të dyshimta në të cilat janë botuar më herët publikime nga profesorët me të cilat pastaj janë avancuar.

Dema ka theksuar se për ata që janë avancuar më herët përmes publikimit në revista të dyshimta, nuk do të ndërmarrin asgjë, sepse qëndrimi i tyre si menaxhment ka qenë që të mos kthehen prapa, por të vazhdojnë përpara duke vënë kritere dhe standarde.