Demaçi s’e donte luftën por s’i frikësohej asaj, thotë bashkëpunëtori i tij

27.07.2018 19:43:29
Veprimtari i shquar shqiptar, Adem Demaçi, nuk i ishte frikësuar luftës por nuk e kishte dashur atë, duke hulumtuar edhe për mënyra se si ta shmangte atë, sipas ish-bashkëpunëtorit të tij, Sabri Kiçmarit.

Kiçmari ka thënë se Demaçi ka qenë disa hapa para të tjerëve, andaj ka qenë i vështirë që të kuptohet nga ta.

“Baca Adem ka qenë njeri shumë i drejtpërdrejtë, shumë i hapur dhe nuk ka hezituar ta thotë mendimin edhe kur të tjerëve nuk iu pëlqen”, ka thënë Kiçmari në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Ka pasur sigurisht momente kur nuk është kuptuar drejtë. Ai ka menduar disa hapa përpara të tjerëve dhe shpesh kur një aktor politik ose shoqëror mendon disa hapa përpara, e ka të vështirë të kuptohet nga këta që kanë mbetur paksa prapa në mendimet e tyre politike”.

Sa i përket propozimit të Ballkanisë nga ana e Adem Demaçit, Kiçmari ka rrëfyer se nuk e kishte mbështetur atë në këtë drejtim, mirëpo e ka arsyetuar se Demaçi kishte kërkuar mënyra se si të sillte harmoni mes kombeve dhe etnive të ndryshme në Ballkan.

“Nuk e kam biseduar me të këtë ide në detaje. Në momentin ai e ka marrë detyrën e përfaqësimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai edhe publikisht ka hequr dorë nga ideja e tij për Ballkaninë. Ushtria Çlirimtare nuk e ka mbështetur këtë ide.

“Mirëpo, Adem Demaçi përpos guximit të tij është shquar edhe për një orientim të tij drejt harmonisë mes kombeve të ndryshme”.

“Është shquar edhe për karakterin e tij mbrojtës të të drejtave të njeriut. Ka hulumtuar mundësi edhe të shmangies së luftës”.

“Nuk i është frikësuar luftës, por nuk e ka dashur luftën”.

“Ka gjetur një variant në atë kohë që është quajtur Ballkania që nuk e ka pasur mbështetjen e nevojshme, as timen”.

“Ai ka hequr dorë nga një ide e tillë në momentin kur është emëruar përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.