DEMOLLI: MENDIM POZITIV PËR LIGJIN PËR FSK

DEMOLLI: MENDIM POZITIV PËR LIGJIN PËR FSK

14.03.2017 16:39:13

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli tha se tashmë e kanë proceduar në Qeveri projektligjin për FSK-në, për të cilin ministria që ai drejton ka opinion pozitiv.

“Grupi punues që e kam përmend dje,  ka punuar  gjatë gjithë ditës dhe sot në orët e hershme të mëngjesit, ka bërë prezantimin para menaxhmentit të lartë të Ministrisë së FSK-së,  i cili është dakorduar për draftligjin. Po ashtu ka dhënë opinionin pozitiv për aprovimin e tij, të cilin gjatë ditës ia kemi dorëzuar  në ora një Zyrës së Kryeministrit… Ajo çka është me rëndësi është opinioni pozitiv. Ne po ashtu ia kemi bashkëngjit një numër të ndryshimeve të cilat i propozojmë, por të cilat duhet t’i marrë parasysh presidenca që është sponzore  e ligjit”, tha Demolli pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndërsa i pyetur se a do ta përkrahin këtë projektligj edhe nëse nuk e ka përkrahjen e SHBA-ve ai tha se çdo gjë është në koordinim me SHBA-të dhe partnerët tjerë strategjik të Kosovës.

“S’kisha dashur të them pa pajtimin. Çdo gjë është në koordinim me SHBA-të dhe partnerët tanë strategjik. Andaj ju e keni dëgjuar sot edhe debatin e presidentit të vendit për këtë Draft ligj dhe është thënë se është në koordinim me partnerët tanë strategjik”, tha ai.