Dënohet me kusht pasi pranoi fajësinë për vjedhje të rrymës

18.12.2017 14:36:28

Tre muaj burgim dhe 300 euro gjobë me kusht, ka qenë dënimi që Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar të hënën, ndaj të akuzuarit për vjedhje të energjisë elektrike, Haxhi Vokshi.

Ky dënimi ndaj tij, nuk do të ekzekutohet në qoftë se ai, nuk kryen vepër të re penale brenda një viti.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Ahmet Rexhaj, pasi që i pandehuri ka pranuar fajësinë për veprën penale që i ngarkonte akti akuzues.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Haxhi Vokshi, akuzohej se që nga 6 maji 2014, e gjerë më 6 nëntor 2014, në shtëpinë e tij, në fshatin Nabërgjan, Komuna e Pejës, me qëllim të shfrytëzimit të energjisë elektrike, gjatë kontrollit nga personat e autorizuar të KEDS-it, është hasur se i pandehuri ka bërë lidhje jashtë njehsorit elektrik.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Vokshi të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material, në shumë prej 358.2 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ndryshim i njësorit të shërbimeve”, nga neni 323 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet.