Denoncimi i LSI në Gjirokastër: Policia tenton të fusë drogë në makinat e mbështetësve tanë

24.06.2017 18:37:21

Lëvizja Socialiste për Integrim Gjirokastër, denoncon atë që e quan skemë të policisë për të prishur zgjedhjet në qark, duke tentuar të futet drogë në makinat e mbështetësve të kësaj partie.

“Mbrëmjen e djeshme, pak orë përpara nisjes së heshtjes zgjedhore të subjekteve politike, në Dropull, Gjirokastër, të shtyrë nga bashkëshorti i kandidates së PS Artemisa Dralo, Policia e Shtetit tmerroi banorët dhe ndaloi makina të përkrahësve të LSI me planin për të vendosur drogë në makinat e tyre”, thotë LSI Gjirokastër.

Më tej nënvizohet se pas këtij skandali deputeti i Gjirokastrës Vangjel Tavo komunikoi menjëherë me Drejtorin e Përgjithshëm të Polçisë së Shtetit Haki Çako dhe i kërkoi të merren të gjitha masat për ruajtjen e rendit dhe mos-përfshirjen e oficerëve të policisë në inskenime të tilla të rënda në dëm të procesit zgjedhor.

Kjo parti pretendon se, skandali shkon më tej, kur, sipas burimeve të sigurta nga brenda Policisë së Shtetit vjen informacioni që vëllai i Arben Isaraj, zv.ministrit të Drejtësisë, Altin Isaraj, një person me të shkuar kriminale dhe i arrestuar jashtë vendit për trafik droge, i shoqëruar me katër persona të tjerë të armatosur po nisen nga Vlora drejt Gjirokastrës për të terrorizuar votuesit dhe për të intimiduar banorët.

Gjithashtu, në të gjithë këtë skenar thotë LSI Gjirokastër, ku përfshirja e policisë është e plotë dhe në shërbim të krimit, Policia e Gjirokastrës pret të zbatojë një skemë tjetër intimidimi, terrori dhe presioni.

“Kjo skemë përfshin arrestimin e 4 apo 5 personave të lidhur me LSI, të cilëve do i ngrihet një kurth i rremë për blerje votash. E gjithë Policia e Shtetit duket se është tejet e investuar për ti shërbyer krimit dhe tjetërsimit të rezultatit të zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës”, thuhet në mbyllje të qëndrimit.