Departamenti i Shtetit, për letrën kundër Sorosit: Ne e dimë se çfarë...

Departamenti i Shtetit, për letrën kundër Sorosit: Ne e dimë se çfarë bëjmë në Shqipëri, ju jo!

08.04.2017 15:18:32

Partia Demokratike dhe opozita e reklamuan me të madhe një letër të gjashtë senatorëve të rëndësishëm republikanë, drejtuar Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson. Në letër ata i ankoheshin Tillerson për ndikimin e George Sorosit në Maqedoni dhe Shqipëri, pasi po përkrah politikanët e majtë dhe agjendat e tyre. Por, letra e tyre duket se ka rënë në vesh të shurdhër.

Sipas gazetës New York Post, gjashtë senatorët, të drejtuar nga Ted Cruz, kanë marrë një përgjigje jo nga Tillerson dhe askush tjetër rreth tij, por nga një zyrtar i nivelit të mesëm.

“Pak a shumë ai iu tha senatorëve t’ia fusin vrapit”, shkruan gazeta.

Përgjigje senatorëve u ka kthyer Joseph E. Macmanus. Në letër thuhet se “programet e ndihmës së Departamentit të Shtetit, projektohen, implementohen dhe monitorohen në mënyrë rigoroze për të siguruar që janë bazuar në vlerat më të rëndësishme amerikane”.

“Me pak fjalë të tjera, ne e dimë se çfarë po bëjmë, ju nuk e dini”, shkruan NY Post.

Sipas gazetës, edhe pse ishte menduar se Trump do ndiqte një agjendë të ashpër kundër miliarderit George Soros, Departamenti i Shtetit është sërish i dashuruar me Soros.