Deputetët e LDK-së takojnë Apostolovan, ia paraqesin qëndrimet lidhur me proceset nëpër të cilat po kalon Kosova

21.01.2019 17:16:56

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti së bashku me deputetët Lirije Kajtazi, Vjosa Osmani, Armend Zemaj dhe Driton Selmanaj kanë pritur në takim Përfaqësuesen dhe Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Sipas një njoftimi, gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me shumë çështje të rëndësishme për vendin si: procesi i Dialogut, Reformat në Administratën Publike, Edukimi, Ndotja e ajrit, Reformat zgjedhore, etj.

“Kryetari Hoti e njoftoi znj. Apostolova për qëndrimet e Grupit Parlamentar të LDK-së lidhur me proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ai gjithashtu, duke falënderuar BE-në për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin shtetit të Kosovës, e siguroi shefen e BE-së, se Grupi Parlamentar i LDK-së, sikurse në të kaluarën, do të mbështetë ligjet që rrjedhin nga agjenda evropiane”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Ndërsa, siç shtohet tutje, “znj. Apostolova falënderoi kryetarin Hoti dhe deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së për rolin konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës”.