Deputetët e rinj kundër ofertës së PS-së për opozitën

03.04.2019 17:04:22

Propozimi i shumicës në Shqipëri për të zgjatur mandatin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe për t’i dhënë mundësi demokratëve që në rolin e vëzhguesit të mund të propozojnë amendime në Kodin Zgjedhor është kundërshtuar nga deputetët e rinj të opozitës në parlament.

Ata që shohin këtë si pjesë të marrëveshje të fshehte të dy partive të mëdha dhe bëjnë të qartë se nuk do të bashkojnë votat me socialistët. I vetmi shans që ky të ndodhi thonë se mund të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Por kryeministri i “qetëson” dhe thotë se kjo është një mundësi që u jepet demokratëve për të qenë pjesë e Reformës Zgjedhore, duke përjashtuar çdo marrëveshje të fshehte apo të ndërmjetësuar nga të huajt.

Si kryeministri, ashtu edhe deputetët e rinj, i dhanë përgjigje edhe deklaratës së presidentit të Republikës, që i quajti ata jo-legjitime. Socialistët thonë se janë gati të depolitizojnë administratën zgjedhore, madje Bashkim Fino shkon dhe përtej asaj çka premton kryeministri dhe kërkon që kjo të bëhet fakt që në zgjedhjet e 30 Qershorit.

Kryetari i KQZ që prezantoi raportin vjetor në parlament foli për vështirësitë që do të kenë këto zgjedhje për shkak të situatës politike dhe i kujtoi politikës që duhet të jetë një garë e vërtetë ku qytetarët të kenë alternativa.

Në seancën e kësaj të mërkure bëri betimin dhe deputetja e qarkut të Shkodrës Ambra Borova që do të zëvendësojë Agron Çelën që për rastësi është dhe xhaxhai i bashkëshortit të saj, raporton TvKlan.

Parlamenti po ashtu mbajti edhe një minutë heshtje për viktimat e 2 Prillit, me propozim të deputetes Hajdari.