Deputetët presin nga Thaçi ta konkretizojë nismën për FSK-në

06.03.2017 16:25:45

Deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare në Kuvendin e Kosovës presin nga presidenti, Hashim Thaçi që ta konkretizojë nismën e tij për ndryshimin e Ligjit për FSK-në me të cilin kësaj force do t’i jepeshin kompetenca më të mëdha në fushën e sigurisë

Në ceremoninë e parakalimit të djeshëm të pjesëtarëve të FSK-së në kuadër të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, presidenti Thaçi e pranoi se transformimi i FSK-së në Forcat e armatosura të Kosovës nuk ka ecur ashtu siç ishte pritur.

Për t’i bërë ndryshimet e duhura kushtetuese Kuvendit do t’i duheshin dy të tretat e votave të 120 deputetëve përfshirë edhe dy të tretat e votave të 20 deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshqiptare.

Aktualisht, Lista Serbe e cila përfaqësohet në Kuvend me 11 deputetë po refuzon që ta mbështesë transformimin e FSK-së.

“Kushtetuta moderne e Kosovës, mua si Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës më jep kompetenca të mjaftueshme për të ndërmarrë iniciativën për të ndryshuar ligjin e FSK-së”, tha Thaçi gjatë fjalimit të djeshëm.

Duke iu drejtuar ushtarëve të FSK-së, presidenti Thaçi e bëri të qartë se shumë shpejt, brenda kompetencave të tij kushtetuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore që transformimi i shumëpritur i themelimit të Ushtrisë së Kosovës të bëhet realitet edhe nëpërmjet ndryshimit të ligjit për FSK-në.

“Ashtu siç presin të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet Lig