Deputeti Syla kërkon të rishikohen masat anti-COVID19: Nuk vetëdijesohen qytetarët me kamxhik...

Deputeti Syla kërkon të rishikohen masat anti-COVID19: Nuk vetëdijesohen qytetarët me kamxhik e me dënime

19.11.2020 12:10:09

Deputeti i AAK-së, Gazmend Syla ka thënë se institucionet e Kosovës brenda orësh kanë marrë vendime anti-COVID19, ndërsa qytetarët e Kosovës e respektuan këtë vendim.

“Kur vjen puna te dënimet e qytetarëve, po shohim se po këto institucione i kanë nxit policët e sidomos policët e rinj të dënojnë pa fol dy herë”, ka shkruar ai.

Syla përmes një postimi në Facebook ka thënë se qytetarët nuk vetëdijesohen me kamxhik e dënime, por siç thotë ai, me masa tjera ndryshe, njëjtë si në vendet e BE-së.

Postimi i plotë:

Kur institucionet e Kosovës brenda orësh morën vendime anti-COVID19, qytetarët e Kosovës sidoqoftë e respektuan këtë vendim.

Kur vjen puna te dënimet e qytetarëve, po shohim se po këto institucione i kanë nxit policët e sidomos policët e rinj të dënojnë pa fol dy herë.

Dënimin ish dashtë me e parapri vërejtja. Nuk vetëdijesohen qytetarët me kamxhik e me dënime, por me masa tjera ndryshe, njëjtë si në vendet e BE-së. Duke e marrë parasysh papunësinë e varfërinë e skajshme në vend, urgjentisht duhet të ndryshohen këto masa.

Nëse vazhdon kështu, Ministria e Shëndetësisë e ajo e Brendshme do të shndërrohen në Ministrinë e Plaçkës, koronavirusi do të lulëzoj ndërsa qytetarë do të varfërohen edhe më shumë.