Deri më 14 shkurt do të kryhen procedurat rreth Ramush Haradinajt, thotë avokati Koci

09.02.2017 12:15:05

Një gjykate franceze në Colmar, pritet që të enjten, rreth orës 14:00 të nisë shqyrtimin e një kërkese të autoriteteve të Serbisë për ekstradim të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai u ndalua nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.

Avokati mbrojtës i zotit Haradinajt, Arianit Koci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se kërkesa për ekstradim është e pabazuar dhe do të refuzohet si e tillë.

“Nuk ka dilemë që kërkesa e Serbisë është kërkesë politike, këtu nuk kemi rast penal, prandaj unë besoj që kjo kërkesë e tyre do të refuzohet dhe zoti Haradinja do të lirohet. Nuk është e rastit që Serbia ka një inat ndaj zotit Haradaniaj, Serbia nuk mund t’ia fal kurrë z.Haradinaj angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftimin e politikës gjenocidale të pushtetit të Millosheviqit”, ka thënë avokati Koci.

Ai ka shtuar se i gjithë ky proces ndaj Haradinaj do të përfundojë para datës 14 të këtij muaji.

“Zoti Haradinaj patjetër do të kthehet në Kosovë. Unë nuk besoj që gjykata franceze do të merr vendimin brenda ditës, por presim të premten ose javën tjetër, por unë besoj që para datës 14 të këtij muaji do të kryhet i gjithë ky proces”, ka theksuar avokati Koci.