Dervishaj dhe zyrtari amerikan inspektojnë portin e Durrësit: Shenjë e qartë e bashkëpunimit me SHBA

17.12.2016 21:09:52

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, së bashku me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, Alan Bersin, vizituan Portin e Durrësit dhe panë nga afër zbatimin e elementeve të sigurisë nga agjencitë. Ministri Dervishaj dhe Bersin, panë mënyrat e funksionimit të sistemeve të sigurisë në Port, një pjesë e të cilave janë dhënë nga autoritetet amerikane. Ministri Dervishaj tha se prania dhe vizita e zotit Bersin, është shenjë e qartë e bashkëpunimit të ngushtë që kemi me partnerin tonë strategjik SHBA.

“Kjo është një shenjë e qartë e një bashkëpunimi të ngushtë që ne kemi me një partner strategjik, siç është SHBA. Një bashkëpunim që ka një funksionim të shkëlqyer, por për shkak se ne jemi në parametra përmirësimi kemi nevojë për të rritur kapacitetet tona, për të rritur mënyrën e koordinimit, veçanërisht mes agjencive të zbatimit të ligjit që kanë përgjegjësi direkte mbi administrimin, monitorimin dhe operimin e porteve dhe aeroporteve, pra pikave hyrëse më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë,” tha Dervishaj, duke shtuar se për këtë kërkohet koordinim, bashkëpunim dhe rritje e kapaciteteve.

“Kjo është ajo që ne po bëjmë së bashku me partnerët tanë amerikanë. Besojmë që ky bashkëpunim i shkëlqyer do të vazhdojë me të njëjtën mënyrë, me njëjtat ritme dhe me të njëjtat parametra edhe në të ardhmen”, nënvizoi ai.

Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, Alan Bersin, u shpreh besimplotë se ky bashkëpunim do të vazhdojë të jetë i ngushtë edhe me administratën e re. Ai theksoi se bashkëpunimi në aspektet e sigurisë është i fortë, dhe do të bëhet akoma dhe më i fortë në vazhdimësi. Bersin nënvizoi gjithashtu se duke pasur parasysh sfidat globale dhe mundësitë, është e rëndësishme që dy vendet tona, të vazhdojnë bashkëpunimin në sigurinë kufitare.

“Bashkëpunimi për sigurinë është shumë i mirë dhe ka dëshirë për ta përmirësuar edhe më shumë. E di edhe nga miku im i mirë Ministri Dervishaj, se ka determinim dhe vullnet maksimal për të vazhduar përmirësimin”, tha Bersin.