Deshifrimi i videos së Edi Ramës për listat e hapura, po koalicionet?

21.07.2020 15:42:31

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, pas takimit që u përfol me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ku bën të ditur se Partia Socialiste nuk do të tërhiqet nga listat e hapura, ndërkohë që nuk flet për koalicionet.

Kjo video e hedhur nga Edi Rama bën të ditur se PS-ja tashmë e ka përqafuar s kauzë elektorale çështjen e listave të hapura dhe sipas gjasave në Këshillin Politik  nuk do të ketë tërheqje nga ky pozicion.

“Hapja e listave përfshin qytetarët edhe në zgjedhjen e deputetëve, jo vetëm të partive dhe ne do të hapim listat sepse Partia socialiste do atë që duan qytetarët. Është koha për lista të hapura, është e rëndësishme për demokracinë. Ata krijojnë një lidhje më të fortë midis votuesit dhe të zgjedhurit”, shprehet Rama.

Nga ana tjetër, në këtë video nuk flitet për çështjen më të koklavitur me opozitën e drejtuar nga PD, atë të koalicionit-tren, që duket se do të jetë nyja gordiane e negociatave që pritet të zhvillohen edhe me praninë, edhe pse jo fizike të kreut të opozitës, Lulzim Basha.

Dje në seancën e parë të dialogut në Këshillin Politik, Gazmend Bardhi deklaroi se i kërkuam zyrtarisht Ramës se kur do ta kalojë në Kuvend Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Dhe sot, pa mbushur as 24 orë nga takimi Komisioni Parlamentar i Ligjeve kaloi pa ndryshime Marrëveshjen e 5 qershorit, duke i bërë të ditur se mazhoranca e ka plotësuar kërkesën e opozitës jashtëparlamentare.

Në videon e lëshuar Rama bën të ditur se kërkesa zyrtare e PS-së për listat e hapura nuk se do të ketë tërheqje. Po koalicionet? Kjo pikë mbetet vërtetë nyja gordiane.