Dhuna, psikologët: Nuk mjafton vetëm urdhri i mbrojtjes

03.09.2017 11:02:09

Me gjithë ashpërsimin e ligjit për dhunën në familje, krimi mbetet njësoj prezent. Vetëm gjatë muajit gusht janë regjistruar 5 gra të vrara nga bashkëshortët ose ish bashkëshortët e tyre. Por çfarë nuk ka funksionuar edhe me këtë ashpërsim të ligjit kundër dhunës?

“Nuk mundet që viktima dhe dhunuesi të jetojnë bashkë, ne japim urdhër mbrojtje dhe i lëmë në një banesë. Sado të ashpërsohet ligji, kur s’funksionojnë hallkat do jemi në të njëjtat kushte.  Nuk mundet që në Shqipëri të merret një urdhër mbrojtje dhe të ngelet thjesht në kudrin e një letre të dalë nga gjykata nëse nuk funksionon shërbimi social që të kontrollojë familjen, nëse nuk funksionon psikologu si institucion”, shprehet Treska.

Por si e kanë zgjidhur këtë vendet perëndimore? Si mund të mbrohet viktima e dhunës, përtej urdhrit të mbrojtjes?

“Në momentin që ka një urdhër mbrojtje viktima dhe viktimizuesi nuk takohen me njëri-tjetrin. Agresori nuk e di as ku e ka banesën bashkëshortja që merret në mbrojtje nga shërbimet sociale në vendin ku jeton.  Fëmijët shoqërohen me punonjës social për të takuar babin. Janë një sërë hallkash që ty të eliminojnë aq shumë kontaktet në mënyrë që situata e agravuar të fillojë të zbutet mes dy personave. Nëse do i kemi këto në fokus s’do jemi në këto situata, ne japim urdhër mbrojtje dhe e lëmë familjen të lirë me preteksin që tashmë shteti ka funksionuar sepse ka dalë një letër nga gjykata për një urdhër mbrojtje”, thotë Treska.