Dhunë kundër Fatmir Xhafajt, ja çfarë ndodh me Stresin dhe Vip-at e tjerë

12.10.2019 13:15:20

Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë çështjen penale të nisur ndaj 28 personave të proceduar për akte të dhunshme gjatë protestës opozitare të 26 majit 2018 para Ministrisë së Brendshme.

Mes personave të dyshuar, tashmë të zhveshur nga akuzat, ishin edhe ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, kryeredaktori i RD, Bledi Kasmi, ish-kryetari i grupit të PD në Këshillin Bashkiak, Kreshnik Çollaku dhe rreperi Arkimed Lushaj.

Ata u hetuan në gjendje të lirë për më shumë se një vit për “kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “shkatërrim të pronës” gjatë orëve të protestës ku kërkohej dorëheqja e ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj.

Çështja u pushua me kërkesë të vetë Prokurorisë së Tiranës. Pas analizimit të provave të sekuestruara në vendin e ngjarjes, këqyrjes së pamjeve filmike dhe marrjes së deklarimeve të tyre, prokurorët vlerësuan se të dyshuarit nuk i kishin kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin.

Protesta opozitare e 26 majit 2018 u shoqërua me momente tensioni, që kulmuan tek Ministria e Brendshme. Gjatë saj u plagosën tre protestues dhe 11 efektivë policie.