“Digjet” gjyqtari që dënoi Saimir Tahirin, jashtë sistemit edhe gjyqtari Skënder Haluca

05.03.2020 17:05:52

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Ardit Mustafaj, nuk mundi të kalojë me sukses procesin e veting-ut. Mustafaj është gjyqtari që dënoi për “shpërdorim detyre” ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në vitin 2012, teksa ishte anëtar i Gjykatës për Krimet e Rënda, ai u kërcënua përmes një letre anonime, fakt për të cilin u mbajt në mbrojtje policore për disa vite në vijim.

Komisionerët e veting-ut vërejtën probleme në pasuritë e tij, në lidhje me disa hua, dhurata nga prindërit e bashkëshortes dhe paqartësi në shitjen e një godinë në Sarandë.

Problemet më pasurinë përjashtuan nga sistemi i drejtësisë edhe gjyqtarin Skënder Haluci, kryetar i Gjykatës së Vlorës. Në seancën dëgjimore, KPK relatoi mungesë burimesh të ligjshme për disa pasuri të gjyqtarit, si edhe shpenzimeve të kryera për shkollimin e së bijës jashtë vendit. Pretendimet e Halucit për burime të ligjshme nuk bindën Komisionin.

Ndërsa gjyqtarët e shkallës së dytë të veting-ut, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, caktuan datën 12 mars për shpalljen e vendimit përfundimtar për prokurorin Arben Dollapaj, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e tij nga detyra për shkak të dyshimeve të ngritura mbi ligjshmërinë e pasurive të tij.